Në një kohë kur Shkupi renditet ndër qytetet më të ndotura në botë, qytetarët tanë përballen me një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën nga ajri që thithin çdo ditë. Kjo ndotje e pamëshirshme po i vret qytetarët në heshtje, duke i kthyer frymëmarrjet e tyre në një helm për shëndetin.
Ndërkohë që spitalet po mbushen me qytetarë që ankohen për vështirësi në frymëmarrje dhe probleme të lidhura me ndotjen, Ministri jolegjitim i Mjedisit vazhdon të merret me interesat e tij private në biznesin e kazinove dhe shume tjerave. Ky ministër, i përzgjedhur jo nga qytetarët nëpërmjet votës së lirë dhe demokratike, por nga mbledhjet e partisë VMRO- DPMNE-së, është simboli i një qeverisje të papërgjegjshme që nuk kujdeset për mirëqenien e qytetarëve, por për interesat personale të një grupi të ngushtë.
Sikur nuk mjafton që fëmijët tanë po humbasin jetën në klinika si pasojë e keqmenaxhimit, ndërsa kostot e jetesës po rriten në nivele të papërballueshme për shumë familje, tani edhe çdo frymëmarrje e qytetarëve është kthyer në një akt që kërcënon shëndetin dhe jetën e tyre. E gjithë kjo ndodh sepse kjo qeveri ka dështuar në mënyrë të përsëritur për të marrë masa efektive kundër ndotjes, për të siguruar ajër të pastër dhe për të mbrojtur mjedisin.
Faktet janë të qarta: një qeveri që nuk arrin të mbrojë të drejtën e tyre për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm, nuk mund të konsiderohet as legjitime dhe as kompetente. Ndërkohë që qytetarët vuajnë pasojat e ndotjes, duke paguar çmimin më të lartë – shëndetin dhe jetën e tyre – kjo qeveri vazhdon të qëndrojë indiferente, duke shpërfillur kërkesat urgjente për veprim.
BDI-ja bën thirrje për veprime urgjente dhe të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për të adresuar këtë krizë shëndetësore dhe mjedisore. Qytetarët e vendit meritojnë ajër të pastër, mbrojtje nga ndotja dhe një qeveri që i mbron dhe kujdeset për ta, jo një qeveri që i lë në mëshirën e fatit.
Bashkimi Demokratik për Integrim