Ali Ahmeti vazhdon të jetë faktor për jostabilitet dhe kjo më shqetëson mua por i shqetëson edhe faktorët tanë ndërkombëtar. Kështu deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar deklaratën e mbrëmshme të kreut të BDI-së, i cili tha se “nëse preket gjuha shqipe, të gjithë shqiptarët do të jenë në këmbë”. Mickoski tha se, është mësuar me, deklaratat e Ahmetit që të jetë faktor jostabiliteti, me retorikën e tij luftarake, siç theksoi ai, të thirrë në trazira dhe jostabilitet.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Supozoj se mesazhi i referohet të njëjtëve gjyqtarë kushtetues që ai i emëroi në Reçicë dhe atyre në Bihaçka që i vendosën në Gjykatën Kushtetuese. Ligji për përdorimin e gjuhëve është në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse shikoni, aty janë njerëzit që dolën nga tefteri i Reçicës dhe Bihaçkës. Supozoj se, vazhdon presioni ndaj atyre njerëzve dhe kërkohë ndonjë strukturë transmetimi për të përcjellë mesazhin. Nuk mendoj se kjo është diçka serioze, por ai vazhdon të jetë faktor për destabilizim dhe ajo më shqetëson mua, por i shqetëson edhe partnerët tanë ndërkombëtar sepse Ali Ahmeti dhe BDI gjithnjë e më shumë dhe në bazë ditore po bëhen faktor të destabilizimit”.
I pyetur se pse një pjesë e ministrive nuk e respektojnë ligjin për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht kumtesat i dërgojnë vetëm në gjuhën maqedonase, Mickoski u shpreh se, intensiteti i punës në qeverinë aktuale është shumë më i lartë dhe prandaj dhe nuk ka kapacitet për të mbuluar edhe atë pjesë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Duhet të rriten kapacitetet sepse, në të kaluarën, prodhimi i lajmeve dhe aktivitete ka qenë 10 herë më i vogël se tani dhe ndoshta ka qenë më lehtë të punohet dhe të përmbushet diçka që është në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ligji duhet të respektohet por, duhet të rriten kapacitetet dhe jemi në fazë të punësimit të njerëzve të cilët, do t’ua përcjellin mediave aktivitetet e ministrive 10 herë më të mëdha në krahasim me të kaluarën”.
Kujtojmë se ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, ditë më parë thë se, kjo ministri do t’i dërgojë komunikatat vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa ai që do të kërkojë që ato të dërgohen në gjuhën shqipe do t’ua dërgojnë edhe në shqip.
Teuta Buçi /SHENJA/