Nga Prokuroria njoftojnë se pas faljes nga ana e presidentes, sot pas daljes nga burgu i Idrizovës, është arrestuar Aqif Ravmanoski, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ai është arrestuar pasi dyshohet për vepër tjetër penale, gjegjësisht për tentim vrasje.
“Për personin është zhvilluar procedurë paraprake në lidhje me incidentin e armatosur që ndodhi më 14 tetor në bulevardin “Hristian Todorovski Karposh” në Çair. Ekspertiza për praninë e grimcave të barutit, të cilat janë kryer me urdhër të prokurorit publik, vërtetuan konstatimet fillestare se tashmë i dyshuari ka shtënë disa të shtëna me armë zjarri – pistoletë në drejtim të viktimës me qëllim që ta privojë atë nga jeta, dhe i ka shkaktuar plagë me armë zjarri në zonën e këmbës. Menjëherë pas mbërritjes së ekspertizës, sot është miratuar urdhër për hetimin e të dyshuarit, ndërsa propozim për caktimin e masës së paraburgimit do t’i dërgohet gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup”, thonë nga Prokuroria.
Nga Prokuroria shtojnë se për të njëjtën ngjarje, është parashtruar kallëzim penal edhe ndaj tre personave, për pjesëmarrje në rrahje.