Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në seancën e sotme duhet të miratojë vendim në lidhje me aplikimet e komunave për projekte infrastrukturore dhe kapitale në thirrjen qeveritare për ndarjen e 100 milionë eurove. Kryeministri Hristijan Mickoski, sot në mesditë njoftoi se ka mbaruar procedura e përzgjedhjes se cilat projekte do të pranohet dhe cilat jo.
“Në seancën e sotme e cila duhet të fillojë për dhjetëra minuta, mendoj se do të miratohet vendim pasi që tanimë formalisht procesi i selekcionimit ka mbaruar. Kështu që, tanimë në periudhën që vijon deri në fund të muajit, institucionet kompetente do t’i nënshkruajnë marrëveshjet me komunat përkatëse dhe do të fillojë zbatimi i këtij, për herë të parë do të thosha, projekt historik që do të ndodh te ne”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Rikujtojmë që sipas të dhënave që siguroi Alsat nga thirrja e Qeverisë, ndonëse parashikohet që projekte infrastrukturore të ndahen 100 milionë euro, komunat me 358 projekte kërkojnë rreth 200 milionë euro. Vetëm Qyteti i Shkupit, i cili kryeson listën si për nga shuma e parave ashtu edhe për nga numri i projekteve, kërkon rreth 102 milionë euro. Në përgjithësi, komunat me shumicë shqiptare kërkojnë në total rreth 26 milionë euro për 70 projektet e tyre. Për nga karakteri i projekteve, shumica janë për rrugë, kanalizim dhe ujësjellës – problemet kryesore të qytetarëve. Vetëm Qyteti i Shkupit, me projektet e veta, ka dalë nga karakteri i thirrjes së Ministrisë për projekte infrastrukturore, duke kërkuar autobusë ekologjikë. E vetmja komunë që nuk do të fitojë nga kjo thirrje është ajo e Tearcës, pasi sipas Ministrisë, dokumentet e aplikimit nuk janë përgatitur konform rregullave, madje janë dorëzuar me email privat, në vend të atij zyrtar. /Alsat.mk