Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj deputet socialdemokrat Borçe Cvetkov mbi dyshimet për shpërdorim me detyrën zyrtare gjatë periudhës 2021-2023 sa ka qenë ushtrues detyre drejtor i burgut në Strumicë.
Sipas dyshimeve të policisë, Cvetkov ka urdhëruar gardianët në kundërshtim me ligjin që t’i lëshojnë nga burgu tre të dënuar, ndërsa në librin e evidencave kanë figuruar prezent në qeli.
Emrat e të burgosurve tjerë prezent i ka fshirë me korrektor dhe mbi to ka shkruar emrat e personave për të cilët ka dhënë urdhër të dalin dhe kthehen kur të duan.
“Gjatë viteve 2021, 2022 dhe 2023 gardianët e burgut i ka urdhëruar dhe i është kërcënuar, jashtë procedurave ligjore që t’i lirojnë nga burgu të dënuarit L.K, GJ.V dhe G.T. Të dënuarit kanë shfrytëzuar favore të cilat nuk u kanë takuar dhe në burg nuk janë paraqitur madje nga një muaj, ndërsa në librin e evidencave, me urdhër të personit të kallëzuar kanë figuruar prezent në burg. Emrat e të burgosurve të tjerë i ka fshirë me korrektor dhe ka shkruar emrat e tre personave të lartpërmendur, ndërsa njëri prej tyre (L.K) gjatë kohës sa ka figuruar në burg, ka qenë edhe jashtë vendit”, thonw nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Informacionin se ndaj një deputeti aktual është ngritur kallëzim penal mbi dyshimet për shpërdorim me detyrën, e bëri të ditur drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev. Kuvendi akoma nuk është njoftuar për kallëzimin penal.
Kryetari i Komisionit për çështje të rregullores, mandateve dhe imunitetit, Mile Lefkov na tha shkurt se nuk është i njoftuar për kallëzimin penal dhe nuk është informuar akoma nga kreu i Kuvendit.
Procedura vijon përmes komisionit amë, i cili informon Kuvendin për vendimin dhe ligjvënësi në seancë plenare vendos t’i hiqet imuniteti deputetit, derisa ka propozim të tillë.
Deputeti ndaj të cili parashtrohet kërkesa për heqje të imunitetit dhe është nën dyshime për kryerje të veprës penale, ka të drejtë të mos thirret në imunitet. / Alsat.mk