Ish kryeministrat e Bullgarisë, Bojko Borisov dhe Kiril Petkov kanë paralajmëruar sot edhe njëherë Maqedoninë e Veriut se, nuk ka zhbllokim të procesit të anëtarësimit në BE pa përmbushur kriteret e dakorduara. Ata u kanë bërë thirrje autoriteteve në vend që të vendosin nëse do t’i përfshijnë bullgarët në Kushtetutë, apo rruga e tyre drejt BE-së do të mbetet e mbyllur. Borisov tha se, Bulgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar Marrëveshje për fqinjësi të mirë, i cili është i përfshirë në planin për zgjerim dhe askush nuk mund të devijojë nga ajo.
Bojko Borisov, ish-kryeministër i Bullgarisë
“Çdokush që ka shkelur tonin e mirë, dhe Bullgaria nuk e ka bërë atë, do t’i vuaj pasojat. Gjithçka që bëmë në Partinë Popullore Evropiane, në Këshillin Evropian, në Komisionin Evropian, u dëgjua shumë mirë. Kështu funksionojnë institucionet evropiane. Nuk kërcënojnë, nuk shajnë dhe rezultati është që Shqipëria ecën përpara. Ajo pranoi pakicën bullgare dhe kolegët tanë nga Maqedonia e Veriut duhet të mbajnë pasojat e sjelljes së tyre të deritanishme”.
Edhe Petkov është në të njëjtën vijë, i cili po ashtu tha se Maqedonia duhet të vendosë ose t’i pranojë bullgarët në Kushtetutën e saj, ose të ndërpresë rrugën drejt BE-së.
Kiril Petkov, ish kryeministër i Bullgarisë
“Koha dëshmoi se marrëveshja që kemi bërë në kohën e qeverisë sonë, propozimi francez, ka rezultuar shumë i mirë për Bullgarinë. Në fakt, i gjithë Bashkimi Evropian doli në anën e Bullgarisë. Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të vendosë nëse dëshiron të pranojë bullgarët në Kushtetutën e saj apo rruga e saj drejt Evropës është e mbyllur. Shpresoj shumë që do ta rishikojnë, sepse ajo që ndodhi tani është që Shqipëria po ndahet prej tyre dhe do të vazhdojë më shpejt rrugën drejt BE-së”.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut së fundmi, kanë rindezur tensionet pas ardhjes së VMRO-DPMNE-së në pushtet. Partia maqedonase shpreson se pas zgjedhjeve në Bullgaria dhe pas formimit të një qeverie politike, do të rinegociojë marrëveshjen me Bullgarinë, por Sofja zyrtare ka bërë të qartë se kjo nuk do të ndodhë, pavarësisht se kush drejton qeverinë.
Teuta Buçi /SHENJA/