Hamdi Nuhiju
Me 21 dhe 22 shtator të vitit 2024 së bashku me anëtarët e SHBA “Karadaku” u drejtuam për ka maja më e lartë në Kosovë, për në Gjeravicë. Zemra, shpirti dhe trupi më thontë ti përgjigjem pozitivisht kësaj ekspedite, ndërsa mendja kishte dyshimet e saja. Por, stafi i SHBA “Karadaku” të cilëve i falënderohem përzemërsisht, derdhën një kofë nga respekti dhe më ofruan dy zgjidhje duke më thënë: Ose po të pushkatojmë, ose do të vish me ne?! E mua, më pushkatuan…Qeshu!
Dhe me qeshje nisi ky udhëtim nga Kumanova, Orizarja, Likova, Llojani, Vakcinca, Rramanlia, Sllupçani, El Salvadori, Shkupi, Mateçi, Llopati, e deri në Pejë, Junik, Gjakovë, Gjeravicë. U mblodhëm bashkë të gjithë me profesione dhe mosha të ndryshme, duke i krijuar hapësirën njëri-tjetrit për të ndarë së bashku ajrin e pastër të Gjeravicës.
Stacioni jonë i parë ishte si qielli i parë ku flitej për urdhëresën e namazit! Peja! Ky qytet që na la pa frymë për nga pamja, arkitektura , pastërtia dhe historia e patriotizmi. Në Pejë nuk ka vetëm goca të bukura, po edhe patriot dhe atdhetar të mëdhenj. Aty diku pushon Haxhi Zeka e dëshmorët e kombit të familjes Haradinaj. Gjallëria e qytetit e karakterizonte Pejën si një qytet që di të pres dhe përcjell mysafir.
Stacioni jonë i dytë ishte si qielli i dytë ku tashmë u finalizua urdhëresa për namazin, por nuk dihej ende saktë numri i namazeve farz. Juniku i mbushur me histori! Ky fshat i cili dikur njihej si fshati më i madh në Kosovë, njihet në historinë e popullit shqiptarë për Odën e Junikut. Popujt e lashtë të Lindjes e të Perëndimit kanë Shtëpinë e Urtësisë, ndërsa ne kemi Odën e Junikut. Epiqendra e pleqnarve dhe patriotëve të mëdhenj kombëtar që zgjidhën të gjitha nyjet për ta bërë realitet ëndërrën e shqiptarëve për çlirim!
Stacioni jonë i tretë ishte si diell midis Lindjes dhe Perëndimit. Gjeravica, vendtakimi i miliona dashurive. Shkëlqimi i syve dhe zemrave të njerëzve që prekin majen e saj! 2656 metra. Dhe ja pamja panomarike që të sjell në pëllëmbën e dorës bukuroshet që stolisin Bjeshkët e Nemuna e që duken me sy të lirë. Ky diell shkrinte akujt e mendimeve tona negative dhe na mbushi përplot me energji. Ky diell që sikletoste Liqenin e zemrës na orientoi për vazhdimësinë e sfidave dhe kujdesit për shëndetin, natyrën, bimët, pemët e kafshët!
Shoqëria, respekti, adrenalina, organizimi na bënë që të reprizojmë emocionet e energjinë pozitive. Mendja jonë nuk do të ketë më dyshime.