MPB njofton se SPB Shkup ka zbardhur ngjarjen penale nga 01.04.2024 në fshatin Aracinovë, rajoni i Shkupit, kur u raportua se ndaj kryetarit të komunës së Aracinovës, R.I., dhe persona të tjerë të punësuar në komunë, ndërsa po kryenin inspektime në punimet ndërtimore, nga një person i panjohur me armë automatike u qëlluan disa plumba, ku mbetën të plagosur E.S. (39) dhe A.A. (22). Menjëherë pas marrjes së raportit, nga ana e zyrtarëve policorë të Njësisë për Krime të Dhunshme – Seksioni për Krime të Gjakut dhe Seksuale në SPB Shkup, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, janë ndërmarrë një sërë veprimesh operative dhe hetimore, ku është identifikuar autori.
Pas përfundimit të plotë të materialeve zyrtare dhe ekspertizave të kryera, më 16.07.2024, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup është dorëzuar një kallëzim penal kundër M.A. (36) për veprën penale “tentim për vrasje”, e parashikuar dhe e ndëshkueshme sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.