Do të kërkojmë që në Marrëveshjen me “Bechtel dhe Enka” të kemi më shumë kilometra autostradë për shumën e njëjtë, paralajmëroi ministri për transport dhe lidhje, Aleksandar Nikollovski.
Kjo vjen pasi që para një muaji Mickoski, atë kohë si mandatar, paralajmëroi se për projektin me “Bechtel dhe Enka” me shumë gjasa do të ketë rinegocim. Nikollovski tha se deri më tani është mbajtur një takim me përfaqësuesit e konzorciumit “Bechtel dhe Enka” ku është biseduar që të deklasifikohet marrëveshja, por nuk tregoi konkretisht çfarë është biseduar rreth ndërtimit të akseve të korridoreve 8 dhe 10D.
“Mendoj se në suaza të marrëveshjes dhe kornizës e cila është vendosur, në mënyrë definitive Maqedonia mund të fitojë më shumë kilometra autostradë nga ajo që është nënshkruar. Dhe kjo do të jetë lufta jonë kryesore në vitet në vijim që të fitojmë më shumë kilometra autostradë në suaza të shumës së njëjtë financiare e cila është dakorduar. Mendoj se do të jetë sjellje joekonomike ndaj buxhetit maqedonas nëse doni mund të them edhe armiqësore, që unë tani ta ndërpres marrëveshjen ndërsa ato mjete tashmë janë tek investitori dhe natyrisht nuk mund t’i kthej, kontraktuesi mund edhe të na padisë dhe të kërkoj arbitrazh”, tha Aleksandar Nikollovski, ministër për Transport dhe Lidhje.
Edhe pse paraprakisht akuzonin se në këtë marrëveshje ka krim të madh, e pyetëm Nikollovskin se ka a gjetur ndonjë krim që kur erdhi në funksion, ai vetëm u përgjigj se për këtë Enti shtetëror për Revizion ka raport. Pikërisht për këtë reaguan edhe nga LSDM.
“Hristijan Mickoski thoshte se Marrëveshja me “Bechtel dhe Enka” është krim historik. Në shumë deklarata pothuajse në mënyrë histerike VMRO-DPMNE-ja thoshte se Marrëveshja është e dëmshme dhe se është plaçkitje e popullit, sot Aleksnadar Nikollovski gjithë këtë e hodhi në ujë, jo, jo, nuk vlen. VMRO-DPMNE-ja dhe Qeveria e Hristijan Mickoskit do ta realizojë Marrëveshjen e njëjtë. Fillimi i mandatit të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së tregon se si opozitë flasin një gjë tjetër, ndërsa tani bëjnë tjetër gjë”, thonë nga LSDM.
Për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D dhe marrëveshjen me “Bechtel dhe Enka” foli edhe kryetari i Tetovës dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Billall Kasami, në emisionin e sotëm Daily Click.
Nga ana tjetër, Nikollovski gjithashtu foli edhe për autostradën Kërçovë-Ohër, e cila filloi të ndërtohet para më shumë se dhjetë vjetëve, ndërsa deri më tani asnjë Qeveri nuk arriti që ta përfundojë. Edhe pse, siç tha ai, kjo autostradë ka probleme të caktuara, ministri premtoi se do të jetë gati deri në fund të vitit 2026.
“Ka probleme të caktuara, ne i kemi detektuar, momentalisht një pjesë kanë të bëjnë me shpronësimin, një pjesë janë të lidhura me projektimin e shpateve, një pjesë me objektet të cilat janë në trase, para së gjithash pompat e benzinës që duhet të dislokohen. Si do ia bëjmë, do ia bëjmë, premtimin që e kemi dhënë se në fund të vitit 2026 do të kemi autostradë funksionale, këtë e kemi shkruar në programin tonë dhe do ta realizojmë deri në fund të vitit 2026 autostrada Ohër-Kërçovë do të përfundohet”, tha Nikollovski.
Para dy javëve Enti shtetëror për Revizion doli me raport rreth ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10D ku theksoi se konzorciumi “Bechtel dhe Enka” nuk i ndërton autostradat sipas dinamikës së planifikuar. Në lidhje me ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, vlerësuan se ai projekt është problematik sepse nga shuma fillestare prej 411 milionë eurove, shuma ka pësuar rritje prej 45% dhe tani arrin vlerë prej 590 milionë eurove.