Fushata investuese e Kinës ne dekadën e fundit në Ballkanin Perëndimor është ndjekur vazhdimisht nga polemika të ndryshme. Pavarësisht propagandës së fortë të autoriteteve vendore për t’i paraqitur këto projekte si shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të pesë vendeve ballkanike, ato ndeshen me rezistencë të fortë në popullsinë vendase.
Që nga viti 2014, kur presidenti kinez Xi Jinping njoftoi planin për përfshirjen e Evropës në projektin e infrastrukturës globale tregtare Brez dhe Rrugë, qytetarët e Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë ngritur mbi 100 padi për shkak të shkeljeve të ligjeve dhe etikës së investimit.
Me këto të dhëna ka dalë organizata holandeze Just Finance International në analizën e hartës së rezistencës civile ndaj dëmeve të shkaktuara gjatë zbatimit të investimeve kineze. Analiza tregon se programi i zhvillimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor ka një kosto të lartë për të drejtat e njeriut, transparencën dhe mjedisin. Autoritetet vendore anashkaluan rregulloret ligjore për të tërhequr investime kineze dhe shpesh filluan punimet e ndërtimit pa përmbushur më parë kërkesat ligjore për publikimin e tenderëve publikë, ndryshimin e planeve hapësinore dhe pa vlerësimin e duhur të ndikimit në mjedis.
Sipas analizës, qytetarët kanë shpenzuar shumë para për nisjen e procedurave gjyqësore për ndotje të tepërt të mjedisit apo për konfiskim dhe kompensim jo të plotë të tokës. Fatkeqësisht, rezultoi se procedurat zgjatën shumë, por madje edhe kur kishte vendime pozitive, dënimet për investitorët kinezë ishin simbolike dhe për këtë arsye vazhduan.
Investimet kineze në rajon janë të fokusuara kryesisht në tre sektorë strategjikë: energjinë, minierat dhe ndërtimin e objekteve të mëdha infrastrukturore. Zbatimi i tyre mund të ketë edhe pasoja sigurie për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi disa nga kompanitë kineze janë prodhues të mëdhenj armësh me lidhje të drejtpërdrejta me ushtrinë kineze.
Përveç kësaj, në realizimin e investimeve kineze, ka edhe shkelje masive të të drejtave të punës, si kushtet e këqija të punës, të ardhurat e ulëta, si dhe shembuj të punës së detyruar.
Organizata holandeze shënon shkeljet më të mëdha të ligjeve nga investitorët kinezë në Serbi, ku ka edhe më së shumti investime kineze. Kështu, abuzimet në kompleksin e minierave Bor Majdanpek pas marrjes në dorëzim nga investitori kinez përfshijnë ndotjen e ujit, ajrit dhe tokës, zhvendosjen e paligjshme të fshatarëve, shkeljen e të drejtave të punës dhe ndërtimin e një objekti pa leje ndërtimi. Akoma më i vështirë është shembulli i 400 punëtorëve vietnamezë në Zrenjanin, ku investitori kinez i la në kasolle pa ngrohje në mes të dimrit dhe pa ushqim dhe punëdhënësi u mori pasaportat.
Sipas kësaj harte, Maqedonia e Veriut ka më së paku investime kineze. Ato përfshijnë ndërtimin e dy autostradave: Miladinovci-Shtip dhe Kërçovë-Ohër. Për ndërtimin e autostradës së fundit janë tejkaluar të gjitha afatet dhe në bisedat e përgjuara të publikuara, të ashtuquajturat bomba, kishte edhe indikacione serioze për korrupsion.
Diçka e ngjashme me ndikimin ekonomik të Kinës në Serbi po ndodh edhe me kapitalin rus në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht pas vitit 2014 kur u vendosën sanksione ndaj Rusisë për shkak të okupimit të Krimesë. Që atëherë, Kremlini ka kamufluar investimet e tij në vend përmes palëve të treta. Kështu, firma zvicerane Solvay, e cila ka lidhje me Rusal të Oleg Deripaska, zotëron minierën e plumbit dhe zinkut – Sasa, si dhe minierën më produktive të bakrit dhe arit – Buçim. Deripaska konsiderohet i afërt me Putinin dhe akuzohet për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, si dhe për financimin e luftës në Ukrainë. Edhe pse Solvay mohon çdo lidhje me Rusal, ish-drejtori i Buçim, Dimitriy Kudryakov përfundoi në listën e zezë të SHBA.
Qendra për Studime Demokratike paralajmëron në një analizë se Rusia ndikon në vendet e treta përmes ndërmjetësve, të cilët përfitojnë ekonomikisht dhe politikisht nga mbështetja ruse. Kjo krijon një cenueshmëri në shtet që Rusia mund ta përdorë për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes, ndërkohë që rekomandohet diversifikimi i investimeve të huaja.
Edhe ish-ambasadori Arsim Zekoli flet për ndikimin e shtuar malign kinezo-rus në Maqedoninë e Veriut. Ai përmes profilit të tij në Facebook paralajmëroi se do të ketë investim kinez afër bazës së NATO në Krivolak dhe se zëvendëskryeministri Stoilkoviç do të jetë njeriu i Putinit në Qeveri.