SHBA “Karadaku” nga Kumanova me 23 qershor të vitit 2024 iu përgjigj pozitivisht ftesës së Unionit të Shoqatave Bjeshkatare (UShB) në RMV në Marshin e parë të përvjetoreve të Shoqatave Bjeshkatare si dhe të Unionit për të Liqeni i Bogovinës.
Bjeshkatarët nga Komuna e Likovës, Kumanovës e më gjërë iu bashkangjitën karvanit të bjeshkatarëve nga të gjitha trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Kosovë , Shqipëri për të përshkruar këtë rrugë përrallore për te Liqeni i Bogovinës.
Kodra, shkëmbij, përrocka uji, diell dhe shoqëri e paharruar ishte rrugëtimi deri te Liqeni i Bogovinës.
Zogj që freskonin shpirtrat me cicërrimat e tyre dhe bjeshkatarë që lehtësonin rrugën me batutat e humorin e tyre u bënë mik i mbjell si gravur në kujtesën e këtij udhëtimi.
Liqeni i Bogovinës ose siç njihet ndryshe si Liqeni i akullnajave është njëri prej liqeneve më të bukura që gjendet në rrëzen e Malit Sharr.
I rrethuar nga të gjitha anët me kodra dhe para sysh ka qiellin me kaltërsinë e saj, ky liqe dëshmon për lashtësinë e këtij vendi.
Liqeni i Bogovinës është edhe një dëshmi e vogël në perceptimin e gabuar për Malin Sharr: Nëse ke vizituar Kodrën e diellit, ke vizituar Malin Sharr. Mali Sharr nuk nis dhe nuk përfundon me Kodrën e Diellit.
SHBA “Karadaku” iu falënderua Unionit të Shoqatave Bjeshkatare në RMV për organizimin, si dhe shoqatave tjera anëtare të këtij Unioni duke i uruar edhe shumë përvjetore tjera në eksplorimin e bjeshkëve tona.