Izet Mexhiti përpos ministër i ekologjisë, në Qeverinë e ardhshme do të jetë Zëvendëskryeministri i parë. Këtë e pohoi vet ai, duke sqaruar se në ligjin për qeveri ky funksion nuk qëndron por e njëjta funksionon në bazë të rregullores së Qeverisë.
“Në ligjin për Qeveri, edhe në të kaluarën zv.kryeministri i parë nuk ka qëndruar. Kjo është rregulluar vetëm me rregulloren e Qeverisë, edhe në rregulloren tani është zv.kryeministër i parë. Ne kemi marrëveshje me kryeministrin e ardhshëm, kështu që unë do të jem zv.kryeministri i parë. Do të pretendojmë që në të ardhmen ta sanksionojmë edhe me ligj”, tha Izet Mexhiti, kryetar i LD-së.
Megjithatë, para pak ditësh nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski, në “Telma” tha që në Qeverinë e ardhshme nuk do të ketë Zëvendëskryeministër të Parë, por të gjithë zv/kryeministrat do të jenë të njëtjë. Një prej tyre do të jetë edhe vet Nikollovski.
“Pse ngelet funksioni, zv.kryeministër i parë?
Nuk mbetet! Unë edhe kolegëve tuaj dua t’u sqaroj, nuk do të ketë një gjë të tillë.
Do ta fshini? Pra Izet Mexhiti nuk do të jetë zv.kryeministër i parë?
Ai do të jetë zv.kryeministër në Qeveri siç do të jem dhe unë”, tha Aleksandar Nikollovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Përndryshe gjatë përbërjes së deritanishme qeveritare, zv.kryeministër i parë ishte Artan Grubi ndërsa gjatë qeverisë teknike dha dorëheqje përshkak se nga radhët e BDI-së, Talat Xhaferi u bë kryeministër. Grubin e pasoi zv.kryeministri për çështje europiane, Bojan Mariçiq. Zv.kryeministri i parë ka për detyrë të zëvendësojë kryeministrin kur i njëjti nuk është prezent në vend, qoftë në takime dypalëshe ose në udhëheqjen e seancave qeveritare.