UEFA ka nisur procedurat disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të sjelljes së tifozëve në ndeshjen kundër Anglisë në raundin e parë të Kampionatit Evropian në Gjermani. Ndeshja u zhvillua në Gelsenkirchen, ku Serbia u mund nga Anglia me rezultatin 1:0. Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka nisur procedurat pasi tifozët kanë hedhur objekte në fushë dhe për transmetimin e mesazheve provokuese të papërshtatshme për një ngjarje sportive.
Në një deklaratë, UEFA tha se procedura është nisur në përputhje me nenin 55 të rregullores disiplinore. Inspektori etik dhe disiplinor i UEFA-s do të kryejë një hetim lidhur me sjelljen e dyshuar diskriminuese. Vendimi përfundimtar do të merret në një kohë të përshtatshme nga organi përkatës i UEFA-s.
Kujtojmë se kombëtarja e Serbisë ka ende dy ndeshje deri në përfundimin e fazës së grupeve të kampionatit Evropian. Ndeshjen e ardhshme, “Orllat” do ta luajnë kundër Sllovenisë më 20 qershor, dhe më pas më 25 qershor do të përballen me Danimarkën në një ndeshje potencialisht vendimtare.
Procedurat disiplinore mund të rezultojnë me ndëshkime të ndryshme për Federatën e Futbollit të Serbisë, varësisht nga rezultatet e hetimit dhe vendimet e komisionit disiplinor të UEFA-s.