Gjykatësi suprem Naqe Georgiev dje është arrestuar pasi u kap në flagrancë gjatë pranimit të ryshfetit në shumë prej 10 mijë eurove, me qëllim për t’i shqiptuar dënim sa më të lehtë një të akuzuari. Për këtë qëllim, Ministria e Punëve të Brendshme në orët e mbrëmjes ka kryer bastisje në shtëpinë e tij me qëllim për të gjetur dëshmi të tjera. Bastisje janë kryer gjithashtu edhe në zyrën e gjykatësit, në godinën e Gjykatës Supreme. Njoftimi zyrtar erdhi nga Prokuroria Publike.
“Dje në orët e pasdites, MPB ka realizuar aksion ku nga liria është privuar gjykatës suprem aktiv. Prokurori publik nga PTHP për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, solli urdhër për ngritje të procedurës hetimore për dy persona për të cilët ka dyshime të bazuara se kanë kryer vepër penale, pranim të shpërblimit për ndikim antiligjor nga neni 359 i Kodit Penal. Sipas informacioneve të mara nga denoncuesi, i akuzuari i parë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe ndikimin e tij, rrejshëm ka premtuar lehtësime për të akuzuarin (babai i denoncuesit) në një procedurë tjetër që udhëhiqet para PNKOK, dhe rrejshëm ka premtuar se do të ndikojnë së bashku me të dyshuarin e dytë”, thonë nga Prokuroria Publike.
Ashtu siç edhe njoftojnë nga Prokuroria, në rastin e lartpërmendur ka edhe një të dyshuar të dytë.. Ndonëse këtë nuk e konfirmojnë nga Prokuroria, jozyrtarisht bëhet fjalë për anëtarin e këshillit të prokurorëve, Ixhet Memetin. Megjithatë, për Memetin nuk ka dëshmi të mjaftueshme për t’u privuar nga liria. Informacionet jozyrtare thonë se edhe Ixhet Memeti ka kërkuar të holla me qëllim për t’ia lehtësuar gjendjen të akuzuarit. Bëhet fjalë për ish kryetarin e Novo Sellës, Boro Stojçev, i cili gjendet në paraburgim dhe dyshohet për kontrabandim me drogë.
E meqenëse Georgiev kishte imunitetin e gjykatësit dhe nuk mundeshte të arrestohet, Këshilli Gjyqësor thirri seancë urgjente, dhe ja morri imunitetin e gjykatësit. Në seancën të mbyllur për mediat, Këshilli pranoi kërkesën për masën e paraburgimit për Georgievin. Njëherit, përkohësisht ja ndaluan kryerjen e funksionit gjykatës, deri sa të ketë një zgjidhje të plotfuqishme.
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, i thirri anëtarët e këshillit, përfshirë edhe gjykatësit Antoaneta Dimovska dhe Sashko Georgiev të cilët ishin në pushim, por u kyçën përmes vajberit. Nuk erdhi vetëm Loreta Georgieva, me prejardhje nga Strumica, prej nga vjen edhe vet gjykatësi i akuzuar, Naqe Georgiev. Prezent nuk ishte edhe Besa Ademi, e cila jo vetëm që nuk ka të drejtë vote por edhe ka qenë në ndërtesën e Gjykatës Supreme ku mbi 30 hetues kanë kryer bastisje në zyrën e Georgievit.
Nëse akuza kundër gjykatësit Georgiev pranohet nga gjykata, i njëjti rrezikon dënim me burg prej një deri në pesë vite.