Para se të nisnin, simpatizantëve iu lëshua muzikë e Noyzit. Muzikë rep me vargje si “Ec te shpia tani merre valixhen”.
Më pas u intonua Himni i Europës, kompozim i Bethovenit.
Më pas në skenë u ngjit Shkurte Fejza me këngë patriotike.
Nën këtë atmosferë kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe kreu i njërit krah të ASH-së, Ziadin Sela, nënshkruan marrëveshjen për koalicion në kuadër të Frontit Europian.
Të pranishëm ishin edhe liderët e partive të tjera nënshkruese të Frontit.
I pari që foli pas kësaj ishte kandidati për President, Bujar Osmani, i cili tha se bashkimi po bëhet jo vetëm për qëllimet që kanë, por edhe për ëndrrat për një të ardhme më të mirë.
Dhe kur bëhemi bashkë për të mirën e përgjithshme, shikoni përreth jush kjo sallë e mbushur plot me njerëz është deklarata më e fuqishme se kur bëhemi bashkë nuk ka qëllim që nuk mund të arrijmë, tha Bujar Osmani , kandidat për president.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nismëtar i Frontit Europian, kërkoi mandate të forta për t’i bërë ballë rrezikut që vjen nga Lindja.
Sot është momenti, o sot o kurrë që në të jemi baskë, o sot o kurrë që ne të jemi më të fortë sepse rreziku nga Lindja po vjen, po lëvizin armatime deri në koka bërthamore, neve na duhet uniteti, neve na duhet veprim e mendimi i fortë për të qenë ballë gjithë të tjerëve me mandate të forta me politika paqësore që t’i themi po Evropës dhe jo të fortë Rusisë!, tha Ali Ahmeti.
Për rrezikun nga Lindja foli edhe Ziadin Sela, duke u shprehur se po bëhen bashkë për të parandaluar këtë rrezik dhe që sa më shpejtë vendi të bëhet pjesë e Perëndimit.
Kemi pas emocionin e fitores, kemi pas emocionin edhe për të arrit diçka, edhe nga egoja, ama emocioni i bashkimit për t’i bërë bashkë shqiptarët në një rrugëtim i cili është amanet i gjyshit, është amanet njerëzish që kanë vuajtur me mijëra vuajtje burgjeve, është amanet rilindasish që na treguan rrugën, se rruga jonë është Europa dhe perëndimi, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.
Me kyçjen e ASH-së së Selës, Fronti Europian numëron 8 parti. Paraprakisht Ahmeti ka nënshkruar koalicione edhe me kryetarin e PDSH-së, Lëvizjes Populli, PDE-së, Unitetit të Romëve dhe dy partitë turke, me të cilët do të dalin me lista të përbashkëta në zgjedhjet e majit, ndërsa të gjithë do të mbështesin kandidaturën e Bujar osmanit për President.