Franca pritet të përfshijë të drejtën e abortit në Kushtetutën e vet të hënën, në një Kongres të rrallë parlamentar në Pallatin e Versajës, pas miratimit të projektligjit në Senat. Nëse Kongresi e miraton vendimin, Franca do të bëhet vendi i vetëm në botë që e mbron qartë të drejtën për t’i dhënë fund një shtatzënie.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, është zotuar vitin e kaluar se do ta përfshijë të drejtën e abortit – hap ligjor në Francë prej vitit 1974 – në Kushtetutë, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e pati përmbysur më 2022 ligjin që e mundëson këtë procedurë. Aktualisht është në dorën e secilit shtet në SHBA që të vendosë për ndalim apo lejim të procedurës. Dhoma e ulët e Parlamentit të Francës e ka miratuar me shumicë vendimin që e bën abortin “liri të garantuar” në Kushtetutë.
Përmes një votimi historik më 28 shkurt, më shumë se 80 për qind e votuesve në Senatin e dominuar prej konservatorëve ia kanë dhënë dritën e gjelbër projektligjit. Tani dokumenti pritet të kalojë edhe në fazën e fundit në një takim të rrallë që zhvillohet të hënën. Tri të pestat e deputetëve do të duhet të votojnë për projektligjin, në mënyrë që ai të miratohet.
Vendimi i parë ndonjëherë i tillë
Leah Hoctor, prej Qendrës për të drejta të riprodhimit, ka thënë se votimi do të jetë historik.
“Nëse liria për të vendosur për të pasur abort përfshihet në Kushtetutën e Francës, kjo do të jetë dispozita e parë e tillë kaq e qartë ligjore në Evropë dhe në botë”, ka thënë ajo. Kili e ka përfshirë të drejtën për abort në një draft më 2022, mirëpo votuesit në referendum nuk kanë votuar për miratim të tij. Disa shtete aludojnë se e gëzojnë këtë të drejtë. Kushtetuta e Kubës u garanton grave “të drejtat seksuale dhe ato të riprodhimit”. Edhe disa shtete të Ballkanit kanë trashëguar versione të Kushtetutës së ish-Jugosllavisë që përcaktonte se është e drejtë e njeriut për të vendosur “për lindjen e një fëmije”.
Shtetet tjera e përmendin abortin në Kushtetutë, mirëpo e lejojnë vetëm në situatë të caktuara”, ka thënë Hoctor. Në Kenia, shembull, Kushtetuta thotë që “aborti nuk është i lejuar përveç nëse profesionistët e trajnuar shëndetësorë vlerësojnë se ekziston nevojë urgjente për trajtim, ose nëse shëndeti i nënës është në rrezik, ose nëse lejohet me ndonjë ligj tjetër”.
Aborti është legalizuar në Francë më 1974 përmes një ligji të shtyrë përpara prej Simone Veilit, atëbotë ministre e Shëndetësisë, një grua ikonë për të drejta të grave. Ajo ka vdekur më 2018. Pjesa më e madhe e popullit francez e përkrah vendimin për të siguruar një mbrojtje shtesë për këtë drejtë. Një sondazh i kryer prej kompanisë franceze IFOP, në nëntor të vitit 2022, ka gjetur se 86 për qind e popullit francez e përkrah idenë e përfshirjes së ligjit në Kushtetutë.
Politikanët e krahut të majtë dhe ata të qendrës e kanë mirëpritur reformën, derisa senatorët e krahut të djathtë kanë thënë privatisht se ndihen nën presion për ta miratuar atë. Një deputete ka thënë se vajzat e saj nuk do ta vizitonin më kurrë për Krishtlindje, nëse ajo nuk do të votonte për projektligjin. Macron e ka cilësuar votën e 28 shkurtit në Senat si “hap vendimtar” dhe menjëherë ka kërkuar mbledhjen e Kongresit parlamentar – një grup deputetësh prej dy dhomave të Parlamentit – të hënën.
Herën e fundit kur është bërë thirrje për ndryshim të Kushtetutës ka qenë viti 2008, kur deputetët i kanë miratuar disa reforma nën presidencën e Nicolas Sarkozyt. Në mesin e atyre ndryshimeve ka qenë kufizimi i mandateve presidenciale në dy të tillë, si dhe mbrojtja dhe pavarësia më e madhe për mediat.