Punonjësit e NQP-së do t’i marrin pagat e dhjetorit, përcjell TV21. Këshilltarët e Qytetit të Shkupit me 25 vota “pro” e votuan kërkesën e sindikalistëve të NQP-së për subvencionimin e NQP-së. Me këtë, pritet që shoferët e autobusëve të kthehen në punë dhe të normalizohet transporti publik në Shkup.
Ndryshe, sot në mëngjes shkupjanët mbetën pa transport publik. Stacionet e autobusëve në pjesën më të madhe të ditës mbetën të zbrazëta pasi të punësuarit e NQP-së prej këtij mëngjesi e filluan grevën e tyre.
Autobusët qarkulluan në mënyrë të reduktuar prej orës 9 ndërsa pastaj i parkuan autobusët dhe të punësuarit e NQP-së dolën në protestë para Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Atyre u bashkëngjitën edhe transportuesit privatë. Sindikata kërkon pagesë të pagës së dhjetorit dhe pagesë të plotë të subvencioneve. Për këtë u mbajt seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit me një debat të ashpër, e cila fillimisht dështoi, ndërsa për herën e dytë u arritën votat e nevojshme.
Me vendimin e Këshillit të Qytetit të Shkupit, janë miratuar 11 milion euro subvencione me të cilat NQP do të mund të funksionojë./tv21.tv