Analisti dhe botuesi i gazetës LAJM, Fejzi Hajdari ka komentuar zhvillimet lidhur me paralelen shqipe në shkollën fillore “Todor Janev” të Komunës Çashkë të Velesit, kur për të tretën javë me rradhë prindërit maqedonas të nxënësve të kësaj shkolle protestojnë kundër mësimit në gjuhën shqipe dhe në shenjë proteste i kanë ndaluar fëmijët e tyre nga procesi mësimor.
“Kjo që po ndodh në Çashkë paraqet një akt fashizoid nga pridërit maqedonas. Raste të tilla kemi patur edhe kur politikanë e deputetë maqedonas që kanë qëndruar prapa studentëve maqedonas kundër arsimit shqip. Në ato tubime janë kërkuar edhe dhoma gazi për shqiptarët.
Kjo që ndodh në Çashkë, kur prindërit maqedonas janë “çuar peshë” kundër hapjes së paraleles në gjuhën shqipe, paraqet tentim për segragacion.
E keqja në gjithë këtë tragjedi politike për shqiptarët është se prapa këtyre akteve fashizoide të prindërve maqedonas, nuk mendoj se nuk qendron ndonjë subjekt politik maqedonas sidomos të këtyre që janë në pushtet.
Por, çështja është se dikasterin e drejton pikërisht kuadri i BDI-së dhe shtrohet pyetja, cili është roli i atij në këtë mes.
Ai duhet të gjejë instrumente për të përmbushur të drejtën e nxënësve shqiptarë të garantuar me kushtetutë sepse shqiptarët e Çashkës nuk mund ta realiziojnë një të drejtë që e garanton ligji, kushtetuta, të gjitha konventat ndërkombëtare.
Ne në këtë mënyrë po demonstrojmë se si shqiptarë nuk kemi kurrfarë ndikimi. Paramendoni një të drejtë që garantohet me kushtetutë ne nuk mund t’ua sigurojmë nxënësve shqiptarë të Çashkës” u shpreh Hajdari duke komentuar zhvillimet në Çashkë rreth paraleles në gjuhën shqipe.