Krenar Lloga, Sekretar i Përgjithshëm i ASH-së dhe Ministër i Drejtësisë, deklaroi në Klan Debat se vendimin ër koalicionim në zgjedhjet e ardshme e merr Kuvendi i partisë, ndërsa momentalisht, sipas tij, ka vendim kryesie për të shkuar pa koalicion në zgjedhje.
“Ka një vendim të Aleancës në Kryesinë Qendrore që e detyron Aleancës që në këtë rrugëtim të deritanishëm të shkojë vet në zgjedhje, por në momentin që do të shpallen zgjedhjet, atëherë organi më i lartë politik në ASH është Kuvendi i ASH-së dhe do të jetë ky kuvend që do të tregojë se ku do të lëvizim ne si parti”, deklaroi Lloga.
Aleanca për Shqiptarët, sipas Krenar Llogës, është dëmtuar në zgjedhjet e mëhershme si pasojë e koalicioneve të bëra me partitë tjera.
Shumica dërmuese e ASH-së, siç thotë Lloga, duan që të garojnë vetë në zgjedhje.
“Ashtu si zoti Taravari edhe unë, kemi eksperiencën e hidhur të këtyre koalicionimeve prej vitit 2016 kur Aleanca ka qenë partia më e dëmtuar. Jo vetëm unë, por edhe një pjesë që dominon brenda Aleancës dhe kjo është thuajse në nivele absolute që ASH duhet të shkojë vet në zgjedhje, por sidoqoftë, është Kuvendi Qendror i partisë i cili do t’i japë drejtim duke përfshirë edhe analizat se ku do të gjendet Aleanca pas procesit zgjedhor sepse ne nuk mund të mbajmë përgjegjësinë vetëm të një subjekti politik duke u treguar egoistë për gjithë proceset që na presin”, theksoi LLoga.