Agjencia për Mbështetjen e Sipërmarrësisë së Maqedonisë së Veriut përmes një konference rajonale shënon 20 vjetorin e themelimit të saj, raporton Anadolu.
Konferenca dyditore rajonale e titulluar “Bashkëpunimi për forcimin e sipërmarrjes dhe rritjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme” mblodhi në një vend përfaqësues nga Türkiye, Shqipëria, Kosova, Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Bosnje e Hercegovina.
Në hapje të konferencës, fjalim kishte zv.ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Enver Hüseyin, i cili theksoi bashkëpunimin rajonal për forcimin e sipërmarrësisë dhe rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke shtuar se konferenca kontribuon për integrim të zgjeruar dhe shkëmbim të praktikave të mira në drejtim të rritjes dhe zhvillimit ekonomik.
Hüseyin theksoi edhe mbështetjen dhe rëndësinë që institucionet ia kushtojnë sipërmarrësisë, duke theksuar programin “Vetëpunësimi”.
“Në drejtim të praktikave të mira të vërtetuara si të suksesshme nga vendi, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me partnerët e saj Agjencinë e Punësimit dhe Agjencinë për Mbështetjen e Sipërmarrësisë, të mbështetur nga UNDP – Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim i vitit 2007, po zbatojnë një program që luan një rol kyç në ndërtimin e një mjedisi që mbështet sipërmarrjen”, tha ai, duke shtuar se nga ky program deri më tani janë krijuar rreth 17 mijë plane biznesi në më shumë se 15 mijë kompani të regjistruara.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në fjalën e saj përshëndeti faktin që agjencia ka krijuar një rrjet të shteteve që janë të pranishëm në konferencën rajonale.
Ajo rikujtoi se për 25 vjet ka qenë aktive në sferën e biznesit, mes tjerash duke qenë 7 vjet në krye të Lidhjes së Odave Ekonomike.
“Për mua nuk ka asgjë më të rëndësishme në një vend dhe për ekonominë e një vendi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektori privat. Kjo është shtylla kurrizore e ekonomisë dhe këto janë në fakt subjektet të cilat kontribuojnë që ekonomia jonë të ecë përpara, të rritet dhe të zhvillohet. Kështu është edhe për Maqedoninë e Veriut, ku kemi mbi 99 për qind të subjekteve të regjistruara në sektorin privat janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme”, tha Arsovska.
Ajo shtoi se Qyteti i Shkupit tradicionalisht përmes disa programeve ndihmon sipërmarrësinë, duke shtuar se për herë të parë në vend kanë themeluar edhe Këshillin e Grave Sipërmarrëse, që synon të arrijë mundësi të barabarta dhe të fuqizojë gratë.
Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Sipërmarrësisë, Imer Imeri, u shpreh i lumtur që konferenca e parë rajonale organizohet pikërisht në vitin kur agjencia shënon 20 vjet nga themelimi i saj.
“Besojmë se kjo ngjarje do të dërgojë një mesazh të guximshëm për të gjithë palët e interesuara dhe për BE-në, se rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe fqinjësia përballet dhe ndan sfida të përbashkëta, prandaj është i orientuar drejt optimizimit të fondeve të investuara në rritjen e konkurrencës dhe rritjen e ndërmarrjeve përmes iniciativave të tilla për të shkëmbyer praktika të mira dhe transferimin e ndërsjellë të njohurive”, tha Imeri.