Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, sot realizoi takim me zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Evgen Perebinis, i cili qëndron për vizitë zyrtare në RMV.
“E dënuam agresionin rus ndaj Ukrainës që nga vetë fillimi, ndërsa mbështetja jonë nuk është vetëm politike, por mund të shihet edhe në vepër. Në disa raste Maqedonia e Veriut ka dhuruar ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën e cila ka të drejtë të plotë të mbrohet nga agresioni i paprovokuar rus”, ka thënë ministrja.
Petrovska ka theksuar se gjatë vizitës së Ukrainës në shkurt të këtij viti edhe personalisht është bindur në vuajtjet e popullit ukrainas, por edhe në vendosmërinë dhe dëshirën për ta mbrojtur atdheun.
Petrovska ka theksuar se Maqedonia e Veriut së bashku me aleatët mbetet në mbështetje të Ukrainës derisa është e nevojshme sepse kjo është ana e drejtësisë dhe të vërtetës.
Zëvendësministri Perebinis u falënderua për, mbështetjen e qartë nga Maqedonia e Veriut, si dhe për ndihmën e dhënë ushtarake dhe humanitare. Ukraina, ka theksuar ai, do të vazhdojë të luftojë për pavarësinë dhe sovranitetin e saj.