Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për “CNN” i ka ikur përgjigjes direkte nëse Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, do të përgjigjet për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku vdiq polici Afrim Bunjaku e u plagosën tre policë të tjerë.
Në atë sulm vdiqën edhe tre sulmues.
Radoiçiq ka pranuar se ishte në Banjskë më 24 shtator dhe se kishte drejtuar grupin që bëri sulm terrorist.
Vuçiq, pa përmendur emrin e Radoiçiqit, u përgjigj se “sigurisht do të mbahen përgjegjës gjithë njerëzit që kryejnë vepra penale” dhe se prokuroria duhet të bëjë punën e saj.
Ai ka thënë se Serbisë nuk i është dashur fare “incidenti në Kosovë”.
“Sigurisht Serbia do të mbajë përgjegjës gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale, prokurorët do të duhet të kryejnë punën e tyre. Problemi është se serbët donin të mbronin veten. Nuk dua ta mbrojë vrasjen e një polici shqiptar, e as nuk e kam bërë, e kam dënuar këtë. Por, serbët po arrestoheshin pa akuza, po bastiseshin, po dëboheshin. Çdo gjë që nuk ishte me marrëveshje të Brukselit. Asociacioni nuk është formuar që nga viti 2013, është nënshkruar dhjetë vjet më parë. Regjimet shqiptare në Prishtinë kanë refuzuar ta themelojnë. Njerëzit kanë dashur të mbroheshin. Nuk mund të keni qasje të ndryshme në vitin 1998, 1999 dhe 2003. Mendoj se dialogu është zgjidhja e vetme”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel më 14 shtator, ishte thënë nga BE-ja se “Serbia ishte plotësisht konstruktive e se Kosova nuk po e themelon Asociacionin”.
Ai disa herë ka reaguar ndaj gazetares së CNN, Christiane Amanpour. Madje me ironi në një rast iu referua asaj “faleminderit që po tregohesh objektive dhe e paanshme”.
Gazetarja e CNN-it e ka pyetur Vuçiqin edhe pse me ndërmjetësuesit flet ndryshe, e para publikut ndryshe, e po ashtu pse nuk e ka nënshkruar marrëveshjen në Ohër. Ajo ia ka përmendur edhe fjalët që Vuçiq i kishte thënë pas dakordimit në Ohër, kur u pyet pse nuk nënshkroi. Vuçiq pati thënë se kishte “një lëndim në dorë e s’do t’i kalojë për disa vjet”.
“Unë kam bërë gjithmonë atë që u kam thënë miqve tanë. Kam Kushtetutën e Serbisë që duhet ta ndjek, ta respektoj. Nuk kam fshehur asgjë në prezencën e tyre. Po u thosha në sy. Po thosha gjithmonë të vërtetën. Unë kam thënë se do të zbatojë gjithçka që jemi dakorduar, porse Prishtina nuk donte ta zbatonte pjesën e saj. Patët sinjal të qartë nga BE-ja dhe gjithë ndërmjetësit, se ishte faji i Prishtinës. Papritmas kemi incidentin dhe thuhet se duhet të fajësojmë Serbinë për çdo gjë”, ka thënë Vuçiq.
I pyetur për rritjen e numrit të ushtarëve serbë përgjatë kufirit me Kosovën, Vuçiq ka thënë se nuk është e vërtetë kjo. Ai ka bërë thirrje për prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë.
“Para një viti në linjën administrative me Kosovën kishim 14 mijë persona. Disa ditë më parë numri ishte 8400. Sot është 4400, që është një numër i rregullt. Ne gjithmonë dëgjojmë atë që kërkojnë partnerët tanë nga ne. Nuk ka arsye për t’u shqetësuar për momentin. Ne duam të shohim prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë. Unë nuk do ta mbroj vrasjen e policit shqiptar. Ju e dini, se ushtarët tanë monitorojnë situatën në terren dhe lëvizin forcat tona në mënyrën që ata mendojnë se mund të jetë më e dobishme dhe ata kanë operacionet e tyre. Por, unë nuk kam nënshkruar asgjë për gatishmërinë e ushtarëve tanë dhe ata duhet ta dinë këtë se numri i njerëzve është 60 për qind më pak se që kishim më herët në kufij, linjë administrative. Serbia ishte vendi i fundit, entiteti i fundit, si të doni quani, që kishte nevojë për ato incidente në Kosovë për shkak të dinamikës së gjithë procesit të negociatave”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se Serbia “është e gatshme për të negociuar dhe se gjithmonë ka qenë konstruktive në dialog”.
Vuçiqi është pyetur edhe për reagimin e tenistit serb Novak Gjokoviq i cili gjatë Grand Slamit “French Open” në ekran kishte shkruar “Kosova është zemra e Serbisë, ndalni dhunën:.
“Besoj se Novak Gjokoviqi po thoshte diçka nga thellësia e zemrës. 99 për qind e serbëve e besojnë këtë. Ne politikanët duhet të jemi pragmatikë e racionalë. Duhet të gjejmë zgjidhje nëpërmjet procesit negociues e qasjes konstruktive. Të luftojmë problemet. Nuk kemi nevojë më të shohim shqiptarë e serbë duke vuajtur”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se Serbia nuk ka interes për të dalë nga rruga euroatlantike.