Përparim Kryeziu, zëdhënës në qeverinë e Republikës së Kosovës ka reaguar pas bujës mediatike që u bë për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Tetovë.
Kryeziu nënvizon fjalën e kryeministrit Kurti se Maqedonia e Veriut duhet të jetë sa më afër Kosovës e Shqipërisë e sa më larg Serbisë, transmeton Almakos.
Nê vijim reagimi i plotë i Përparim Kryeziut:
Shumë reagime e komente pati për qëndrimin e Kryeministrit Kurti të premten në Shkup e Tetovë. Për të hequr çfarëdo konfuzioni mbi qëndrimin e Kryeministrit Kurti mjafton t’i rikthehemi këtyre dy paragrafëve nga fjalimi i tij në Tetovë, ndërkaq në fund mund të gjeni edhe vjegëzën e tekstit të plotë të fjalimit:
“Aleanca veri atlantike NATO-ja, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjellë mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializimi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë evropian. Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut, do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë, ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut.
Sot, kam ardhur këtu mes jush si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një vizitë vëllazërore me ju shqiptarët e këtyre trevave të Maqedonisë së Veriut, fqinjit tonë të mirë dhe vendit mik që na ka njohur si shtet neve Republikën e pavarur të Kosovës që në krye të herës dhe me të cilën kemi aq shumë shkëmbime në të gjitha fushat dhe marrëdhënie të mira ndërshtetërore.”
Fjalimi i plotë: https://kryeministri.rks-gov.net/blog/kryeministri-kurti-ne-perfundim-te-vizites-ne-tetove-ta-ndihmojme-e-perkrahim-njeri-tjetrin-per-hir-te-njeri-tjetrit-jo-kunder-ndokujt-tjeter/