Ndoshta tani është më e pranueshme që të kërkohet nivelim të pensioneve se sa rritje lineare, i tha TV21 Ilija Nikollovski, kryetar i Partisë së pensionistëve. Ai zgjidhjen po e sheh në sjelljen e ligjit për pension minimal. Nikollovski dyshon se prapa protestave ka ndikim politik.
“Rritjen lineare që ata e kërkojnë, një model i tillë në botë nuk ekziston, nuk ka bazë ekonomike e as juridike modeli që e kërkojnë ata. Kjo do të thotë se pensioni nuk është dhuratë por është kategori ekonomike. Kjo kërkesë nuk ka bazë ekonomike, as juridike e as logjike, që do të thotë se dikush i manipulon pensionistët, nuk dua të them se kush, por ka forca politike që i manipulojnë dhe nëse vijnë ata në pushtet do t’i kisha pyetur se si do ta menaxhonin ata këtë çështje”, pohoi Ilija Nikollovski, kryetar i Partisë së Pensionistëve.
Por pensionistët që u mblodhën dje në parkun Gruaja luftëtare, paralajmëruan se do të mbajnë protestë më masive të hënën kur do t’u bashkëngjiten pensionistët e qyteteve të tjera. Protesta po mbahen çdo ditë në qytete të ndryshme ndërsa sot pensionistët e Strumicës e shprehën revoltin e tyre.
-Nuk mund të mbijetojmë, nuk na mjafton as për rrymë as për ushqim, gruaja ime nuk merr pension, unë vetëm 15 mijë, ku të shkoj. Do të ma shkyçin rrymën dhe ujin.
-Pajtohemi me pensionistët e tjerë që pensionet të rriten për 3.500, për shkak se kështu nuk jetohet. Pensionet minimale nuk mjaftojnë as për nevojat bazë, për ilaçe, për shëndetësi, të paguash ujë, duhet të mendojnë pak.
-Pensionet të harmonizohen sipas standardit.
Nikollovski tha se sa i përket zgjidhjes, ka biseduar me kryeministrin Kovaçevski për sjelljen e ligjit për pension minimal që nuk mund të jetë në kornizat e rrogës minimale siç kërkojnë pensionistët. Por a mund Nikollovski i cili është deputet, të propozojë që të heqin dorë ose të ulet rritja e rrogave të funksionarëve prej 78% dhe në atë mënyrë të zgjidhet problemi me pensionistët?
“Ja, edhe po t’i ulin, nuk mund t’i mbulojnë pensionet. Ja, të themi t’i ulin, besoj se shumë nga funksionarët do të pajtohen. Duhet të sillet ligj për pension minimal. Kjo do të thotë se pensionet minimale duhet të harmonizohen me rrogat minimale megjithatë pensioni minimal të mos jetë si rroga minimale, për shkak se kjo nuk ka logjikë. Përvojat botërore tregojnë se pensioni duhet të jetë diku rreth 70% të rrogës minimale”, deklaroi Ilija Nikollovski, kryetar i Partisë së Pensionistëve.
Ditëve të fundit në disa qytete të vendit, Prilep, Tetovë, Strumicë, Shën Nikollë, pensionistët dolën në protesta, të revoltuar me rritjen e paralajmëruar për 6%. Ata kërkojnë rritje lineare të pensioneve për 3.500 denarë./TV21