Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan Joe Biden ka zhvilluar biseda telefonike me disa prej liderve me të rëndësishëm evropian, në kuadër të zhvillimeve në Rusi.
Shtëpia e Bardhë njofton se Biden foli sot me Presidentin e Francës Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak.
“Udhëheqësit diskutuan situatën në Rusi. Ata pohuan gjithashtu mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën”, njofton Shtëpia e Bardhë.
Moska po përjeton momente tensioni pasi mercenarët e grupit “Wagner” janë nisur drej kryeqytetit rus për të rrëzuar regjimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, lëvizje kjo që nga Kremlini është interpretuar si përpjekje për një grusht shteti.
Deklarata, e bërë në orët e natës mes së premtes dhe së shtunës nga Jevgjeni Prigozhin, bëri që në Moskë të rriten ndjeshëm masat e sigurisë, interneti të kufizohet dhe që në rrugët hyrëse të qytetit të vendosen barrikada me mitralozë.
Sipas të dhënave autokolona e mercenarëve të “Wagner” ndodhet 400 km në jug të Moskës.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar paraditen e së shtunës vetë presidenti Vladimir Putin, i cili ka paralajmëruar se, “Wagner” ka vënë në lojë të ardhmen e Rusisë, duke e cilësuar lëvizjen e saj si një “thikë pas shpine”.
Pa përmendur specifikisht Prigozhin, Putin tha se “ambicjet e mëdha të dikujt janë kthyer në një tradhti të lartë”.
Kreu i Kremlinit paralajmëroi gjithashtu për “ndëshkim të pashmangshëm” të atyre që po përçajnë shoqërinë ruse, e cila sipas tij ka rënë prej e një “mashtrimi kriminal”.