Protestë paralajmëruese gjatë pauzës nga ora 12 deri në 12:30 u mbajt nga punonjësit e Drejtorisë së Doganave. Ata kërkojnë pagesën e shtesës prej 30 përqind të pagës, që kanë tashmë në marrëveshjen kolektive. Ashtu si punonjësit e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, sipas Ligjit për Buxhetet, kjo e drejtë u takon atyre, thonë punonjësit. Nëse nuk përgjigjet Ministria e Financave, atëherë nga e hëna do të vendosin nëse protestat do të radikalizohen.
“Ministria dhe të gjitha organet morën një shtesë të pagës prej 30 për qind, megjithëse Dogana është nën ombrellën e financave dhe ne shpresonim që më në fund ta marrim shtesën, por përgjigja ishte negative…”, tha Tërpe Deanoski – Kryetar i SPOGJ-it.
Para doganës u shfaq drejtori i ri Stefan Bogoev, i cili tha se nuk mund t’u premtonte atyre një zgjidhje, sepse duhej të njihej me problemet.
“Unë jam në këtë pozitë për më pak se 24 orë, kam dalë për të ftuar përfaqësuesit e sindikatës që të vijnë dhe të më tregojnë në detaje kërkesat që ata kanë si punonjës dhe si sindikatë…”, u shpreh Stefan Bogoev – Drejtor i Drejtorisë Doganore.
Përveç doganës, punonjësit e DAP-it i mbyllën dyert e tyre për qytetarët për të dytë ditë radhazi nga ora 10:00 deri në orën 12:00, duke protestuar me të njëjtën kërkesë, paga më të larta për 30 për qind. Sindikata thotë se revolta në mesin e punonjësve të administratës po rritet, kështu që është e mundur që nga e hëna protestave t’u bashkohen edhe punonjësit e prokurorisë, gjykatave, qendrave të punës sociale dhe institucioneve të tjera publike. /Alsat.mk