Në disa vende evropiane ka një zbatim të kufizuar të së drejtës për qasje në informacion, vlerëson Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit të Këshillit të Evropës (GRECO) në raportin vjetor për vitin 2022 dhe u bën thirrje autoriteteve të respektojnë standardet ndërkombëtare, informon PRESSonline.al.
Në raportin e publikuar sot, GRECO rikujton për rolin që ka qasja në informacion për sigurimin e transparencës publike dhe për lehtësimin e shtypjes së sjelljeve korruptive. Në këtë raport thuhet se “për fat të keq, në disa vende Qeveritë kanë ende një diferencë të lartë diskrecioni në përcaktimin e asaj që është në domenin publik dhe nëse dokumente të caktuara duhet të përjashtohen nga qasja e lirë”.
“Qeveritë duhet të garantojnë parimin e transparencës së dokumenteve publike. Çdo përjashtim nga rregulli i shpalljes publike duhet të jetë i kufizuar në minimum dhe një hap i tillë duhet jetë plotësisht i justifikueshëm” – thotë presidenti i GRECO-s, Marin Mrchela.
Maqedonia është përfshirë në raundin e katërt të vlerësimit dhe të dhënat në raport tregojnë se vendi ka zbatuar plotësisht 28,6 për qind të rekomandimeve për parandalimin e korrupsionit të deputetëve, ndërsa 71,4 për qind të rekomandimeve janë zbatuar pjesërisht.
Rekomandimet më të zbatuara plotësisht janë për parandalimin e korrupsionit te gjyqtarët – 75 për qind, 16,7 për qind e rekomandimeve janë zbatuar pjesërisht, dhe 8,3 për qind e rekomandimeve nuk janë zbatuar fare.
Nga ana tjetër, te prokurorët janë zbatuar plotësisht 33,3 për qind e rekomandimeve për parandalimin e korrupsionit, ndërsa 66,7 për qind janë zbatuar pjesërisht.
Sa i përket parandalimit të korrupsionit dhe promovimit të integritetit të qeverive dhe institucioneve ligjzbatuese, Maqedonia ka zbatuar plotësisht 11,1 për qind të rekomandimeve të GRECO-s në raport me qeverinë, 77,8 prej rekomandimeve janë zbatuar pjesërisht dhe nuk janë zbatuar 11,1 për qind.
Nga rekomandimet për zbatimin e ligjeve, 21.4 për qind janë zbatuar plotësisht, 14.3 për qind janë zbatuar pjesërisht dhe 64.3 për qind e rekomandimeve nuk janë zbatuar fare.
Sipas të dhënave në raport, Finlanda dhe Norvegjia janë të vetmet vende që kanë zbatuar 100 për qind të të gjitha rekomandimeve të GRECO.
Cilat janë rekomandimet e GRECO-s për Maqedoninë për Kuvendin dhe deputetët?
– GRECO rekomandoi vazhdimin e shpejtë të hartimit të një kodi të mirësjelljes për deputetët e Kuvendit dhe sigurimin që kodi i ardhshëm të jetë lehtësisht i pranueshëm për opinionin; krijimi i një mekanizmi të përshtatshëm brenda Kuvendit, me qëllim promovimin e kodit dhe ndërgjegjësimin e deputetëve për standardet që priten prej tyre, por edhe zbatimin e standardeve të tilla aty ku është e nevojshme.
– GRECO rekomandoi që brenda Kuvendit të zhvillohen mekanizma dhe udhëzime të brendshme për parandalimin e konfliktit të interesit dhe pranimin e dhuratave, mikpritjes dhe komoditeteve të tjera, si dhe monitorimin e duhur të veprimit sipas këtyre rregullave.
– GRECO rekomandoi vendosjen e rregullave për marrëdhëniet e deputetëve me lobistët dhe palët e treta që përpiqen të ndikojnë në procesin legjislativ.
– GRECO rekomandoi që të sigurohet që ligjet përkatëse të parashikojnë masa ndëshkimore për të gjitha shkeljet që i parashikojnë dhe të ndërmerren masat e duhura zbatuese në të gjitha rastet e shkeljes së rregullores nga deputetët e Kuvendit.
Në raportin e publikuar sot, GRECO konkludon se shtetet në përgjithësi kanë vazhduar të bëjnë progres në zbatimin e rekomandimeve të raundit të katërt të vlerësimeve në lidhje me deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët.
Gjysma e këtyre rekomandimeve (49.5%) janë zbatuar plotësisht deri në fund të vitit 2022, që është një rritje nga viti paraprak (45%). Shtetet kanë zbatuar pjesërisht një të tretën e rekomandimeve, ndërsa 17 kanë mbetur të pazbatuara.(PRESSonline.al)