Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje ka zhvilluar një takim të shkurtër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku të pranishëm kanë qenë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Sipas Osmanit, takimi ka qenë më shumë informues sesa negociues, teksa shtoi se kanë ndarë qëndrimet e tyre.
Në një konferencë për media, presidentja u shpreh se Vuçiq nuk ka ndarë ndonjë qëndrim, por është ankuar dhe nuk ka treguar të vërtetën.
“Së dyti, kërkova nga ai që të largonte ushtrinë tij nga rreth kufirit të Kosovës dhe së treti kërkova nga ai që ta tërheqë mbështetjen nga këto grupe kriminale që po shkaktojnë dhimbje tek qytetarët e zakonshëm, veçanërisht te serbët që jetojnë në veri duke i frikësuar dhe duke shkaktuar dhunë ndaj tyre”- shtoi ajo.
Osmani tha se presidenti serb ishte i zemëruar dhe ka fyer në gjuhën serbe.
“Vuçiq ishte i zemëruar, ashtu siç e dini atij i pëlqen që të fyejë në gjuhën e tij, por ajo që ishte e rëndësishme është se morëm këshillat e aleatëve tanë për këtë takim dhe qëndrimet që kam ndarë në emër të Kosovës janë të njëjta kur Vuçiq është prezent në dhomë dhe kur nuk është”- deklaroi ajo.
Tutje, Osmani ka folur për kërkesat nga ana e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz.
“Kishte disa kërkesa që presidenti Macron dhe kancelari Scholz kishin si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Nuk është se presidenti Vuçiq u përgjigj në asnjë nga ato pyetje që ata kishin për të. Ndërsa, ajo që ata kërkuan nga Kosova është që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri, që do t’u jepte mundësinë qytetarëve serbë të marrin pjesë dhe kryetarët e komunave të zgjedhin me një legjitimitet më të madh” – tha Osmani.
Presidentja ka theksuar se i ka informuar që korniza ligjore lejon zgjedhjet e reja, duke shtuar se qytetarët serbë mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja.
“Unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre”- ka thënë ajo.
“Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë. Vuçiqit iu kërkua që të mos ndërhyjë, të mos u bëjë presion qytetarëve që të mos marrin pjesë. Nga ana e tij nuk ka pasur përgjigje, por shpresoj që qytetarët do të lejojnë që të ushtrojnë të drejtat e tyre të garantuara me ligje dhe Kushtetutë të Kosovës“- shpjegoi presidentja.
Osmani foli edhe për marrëveshjet e arritura më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, duke theksuar se “të kërkosh vetëm nga njëra palë për ta zbatuar nuk do të ndihmojë në besueshmërinë e procesit”.
“Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve të ditëve të fundit, unë jam duke punuar shumë gjerësisht me partnerët tanë amerikanë, si dhe me partnerët nga BE-ja, dhe të gjithë jemi të të njëjtit mendim se një rrugë përpara, një zgjidhje për shtensionimi është shumë afër, por ne duhet të sigurohemi që fokusi të jetë në zbatimin e plotë të marrëveshjes, jo vetëm në një pjesë të saj”- ka thënë mes tjerash presidentja Osmani.
Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinj të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.