Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, ka komentuar sërish akuzat për korrupsion ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në konferencën pas takimit me kryediplomatin kroat, Gërvalla deklaroi se supozimet në lidhje me këtë rast duhet të ndalen dhe në ‘tavolinë’ të vijnë faktet.
“Por mendoj që ka ardhur një moment kur të gjithë ata që e vazhdojnë fushatën do të duhej ta pyesnin veten, a thua a vazhdohet fushata vetëm në bazë të supozimeve apo ka kaluar aq kohë sa në ndërkohë do të duhen faktet në tavolinë para se të vazhdojmë me fushata, me kampanja politike ndaj personave të caktuar?” ka deklaruar Gërvalla.
Kryediplomatja e vendit tha se ambasadori Berishaj ka thënë çfarë kishte për të thënë në komisionin parlamentar, dhe sipas saj, ata që sot po e akuzojnë, vetë kanë ‘tundur koken’ duke pohuar ato që thoshte Berishaj.
“Në marrëveshje edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Berishaj i ka dhënë përgjigjet e tij në komisionin parlamentar ku është dashur të japë deklaratën e tij, e kam ndjekur me shumë vëmendje atë seancë të komisionit parlamentar, e kam parë që asnjë pyetje nuk ka mbetur pa përgjigje në atë seancë të komisonit parlamentar, edhe e kam parë miratimin e anëtarëve të komisionit të deklaratave të ambasadorit Berishaj gjatë asaj seance dhe prandaj më habit shumë fakti që pa pritur e pa kujtuar muaj më vonë, të njëjtit persona që kanë qenë të pranishëmn në atë seancë dhe që kanë pohuar dhe tundur kokën për secilën prej deklaratave të ambasadorit Berishaj më pas dalin dhe deklarojnë diçka krejt tjetër për një seancë të cilën e kemi parë të gjithë publikisht”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media.
Sipas saj, do vijë dita kur ajo bashkë me ambasadorin do dalin para mediave dhe do pergjigjen në cdo pyetje.
“Unë nuk besoj që ambasadori Berishaj e ka problem t’u japë përgjigje mediave tona me siguri në një moment kur do të ketë më pak angazhime bilaterale, do t’ju thërrasim një ditë dhe do t’ju qëndrojmë të dy, pyetje-përgjigje pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj refuzimi”, theksoi ajo./Arbresh.info