As deputetet dhe as opinioni nuk kanë qasje në marrëveshjen që Qeveria e ka nënshkruar me kompaninë “Bechtel dhe Enka”. Dokumentet janë të fshehta, sepse ka informacion për mënyrën se si punon kontraktori, tha Artan Grubi në një brifing me gazetarët, ai vuri në dukje se kontrata e ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10-D, i është dorëzuar vetëm prokurorit publik, i cili e heton rastin. Por, zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Gërkovska, nuk sheh arsye që marrëveshja të mos bëhet publike.
“Unë nuk shoh ndonjë arsye që marrëveshja të mos publikohet, bëhet fjalë për marrëveshje strategjike me interes kombëtar. Nuk jam shumë e sigurt për momentin, duhet ta vërtetoj nëse ka ndonjë klauzolë që e pengon këtë gjë, në të kundërtën përsëri do të them, kjo është marrëveshje strategjike me interes kombëtar dhe nuk ka pse të fshihet nga opinioni.”, – deklaroi zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Gërkovska.
Politika sociale, Trençevska:Bëhet fjalë për punë jashtë orarit
Derisa nuk mund të sigurohen punëtorë nga vendi, do të angazhohen punëtorë ndërtimi prej jashtë vendit. Ata do të nënshkruajnë një dokument-miratimi për të punuar 60 orë në javë, tha zëvendëskryeministri i parë. Por, sipas ministres Trençevska nuk bëhet fjalë për zgjatje të orarit të punës, por bëhet fjalë për punë jashtë orarit dhe kjo sipas saj, nuk ka asgjë të paligjshme.
“Nuk bëhet fjalë për punë jashtë orarit për të gjithë punëtorët e angazhuar. Bëhet fjalë për punë jashtë orarit vetëm nëse procesi e kërkon një gjë të tillë. Në ndërtimtari, veçanërisht në infrastrukturë ka procese të caktuara që kërkojnë urgjencë dhe në rastet e tilla do të kemi punë jashtë orarit dhe do të paguhen në përputhje me rregullativën ligjore.”, – theksoi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovana Trençevska.
Ndërtimi i korridoreve do të fillojë më 21 prill, në fillim do të ndërtohet pjesa Tetovë-Gostivar, ndërsa më 20 maj do të fillojnë punimet në autostradën Prilep-Manastir. “Bechtel dhe Enka”, do t’i projektojë dhe ndërtojë. Në të gjitha pjesët do të punohet paralelisht. Plani vjetor parasheh që të ndërtohen 23 kilometër rrugë.