Kuvendi i RMV-së konfirmoi dje dorëheqjen e ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, i cili u kthye nga Vjena në qershor 2019 për të transferuar përvojën dhe njohuritë e fituara nga Austria dhe Britania e Madhe, ku filloi karrierën e tij profesionale, dhe për të përdorur të njëjtën gjë këtu në vendin nga ku edhe vjen. Nuredini, në vitet e kaluara të udhëheqjes së ministrisë, arriti t’i japë një dimension tjetër sektorit të mjedisit, të sigurojë elementet kyçe të nevojshme për progres dhe paralelisht në të gjitha fushat e mjedisit jetësor.
Çfarë di publiku për Nuredinin?
Në mesin e viteve 80, ai u transferua në Vjenë dhe u shkollua në Shkollën Ndërkombëtare të Vjenës. Ai vazhdoi studimet e larta në Gjermani dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga qershori i vitit 2019, Nuredini ka mbajtur postin e Ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, duke pranuar sfidën e të jetuarit më shumë se 3 vite larg familjes dhe duke punuar për përmirësimin e kushteve të jetesës, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe zbatimin e standardeve evropiane dhe agjendës evropiane të gjelbër në vendi i origjinës.
“Të dashur qytetar dhe miq,
Çdo rrugëtim, sado i gjatë të jetë ka një mbarim.
Tre vjet e gjysmë në detyrën e ministrit me mision përplot sfida institucionale, familjare dhe personale. Përgjatë gjithë kohës një gjë e kisha brengë, kurdo që të përmbyllet udhëtimi im të arrijë të dal faqebardhë. Personalisht dhe familjarisht sakrifikova shumë. Vetëm pas 6 muajsh në shërbim u ballafaquam me krizën e pandemisë dhe më pas gjithë kohës veprova i ,,mësuar,, në krizë.
Në fillim të mandatit sektori që mu besua ta drejtojë kishte potencial minimal me nevoja dhe pritshmëri maksimale. Buxhetin e ,,gjeta,, me 7 milion Euro dhe po e lë me një portfolio reth 300 milion Euro. Jo rastësisht ky sektor, dikur margjinal e i padëshiruar, sot u bë atraktiv.
Jam munduar maksimalisht, përplot bindje dhe qëllime të pastra t’u shërbej qytetarëve pa dallime partiake, etnike dhe hapsire, gjithnjë duke u bazuar në kuptimin e misionit të qënit ministër-shërbetor i qytetarëve. Sa i’a kam dalë do tregojë koha dhe vetë qytetarët.
I jam mirënjohës zotit Ahmeti, partisë që më mbështeti dhe më dha dorë të lirë në veprimet e mia. I jam mirënjohës dy kryeministrave me të cilët kam punuar në këtë periudhë dhe që më kanë mbështetur, si dhe të gjithë kolegëve të mi (jo vetëm nga subjekti që përfaqësoja) që më dhanë mbështetjen e duhur.
Falenderoj kabinetin tim dhe gjithë bashkëpunëtorët në ministri për kondicionin, përkushtimin dhe profesionalizmin e dëshmuar për këtë periudhë. E di që nuk e kanë pasur aq lehtë të punojnë me mua me një kulturë perëndimore të punës.
Për çfardo lëshimi pa qëllim që mund të kem bërë në këto marrëdhënie ndërpersonale, ju kërkoj falje.
Një falenderim i veçantë shkon për bashkësinë ndërkombëtare, të gjithë Ambasadorët me të cilët shumë ngusht kam bashkëpunuar dhe më kanë mbështetur pa rezervë si në gjenerimin e fondeve dhe granteve ashtu edhe në hartimin e politikave për ambientin jetësor.
Në një raport të veçantë në format llogaridhënie do i përcjell subjektit për të gjitha aktivitetet, veprimet, projektet e realizuara e ato në proces përgjatë gjithë periudhës së udhëheqjes sime, që më pas vetë të vlerësoj për ta publikuar në funksion të përmbushjes së premtimit për transparencë të plotë ndaj të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm antarsisë.
Në fund, apeloj deri tek Institucionet përgjegjëse, posaçërisht atë të Revizionit Shtetëror që sa më parë të auditojë në detaje gjitha veprimet e mia dhe të sektorit që udhëhoqa që nga dita e parë, me shpresë që edhe kjo të bëhet publike.
Shpresoj që me këto veprime dhe sjellje politike sadopak të kem kontribuar në krijimin e shprehive dhe modeleve për një qeverisje sa më të mirë për të cilën kemi shumë nevojë.
I bëj thirrje ministrit të ardhshëm që të vazhdojë aty ku kemi mbetur dhe të përfundojë proceset e filluara, dhe ato janë të shumta, në interes të arritjes së synimeve të përcaktuara të Agjendës së Gjelbër, arritjes së standardeve evropiane dhe objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Me respekt ndaj gjithë juve,
Naser Nuredini”
Në konferencën e fundit tematike për media ku prezantoi buxhetin për vitin 2023, Nuredini tha para opinionit se përkundër sfidave me të cilat po përballet vendi ynë, fillimisht pandemia COVID, e më pas edhe kriza ekonomike dhe energjetike, Ministria sërish ka arritur të realizojë projekte të mëdha kapitale dhe infrastrukturore në vend, si nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e një stacioni për pastrimin e ujërave të zeza në Shkup, projekti për vendosjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, investim në vlerë prej 85 milionë euro, me të cilin më në fund, pas 31 vitesh të pavarësisë, vendi ynë do të marrë një infrastrukturë serioze për menaxhimin e mbeturinave sipas standardeve evropiane.
Si një nga aktivitetet më të rëndësishme që Nuredini e ka theksuar shpesh janë investimet strategjike në vend, përmes shfrytëzimit të burimeve natyrore që disponojmë për të zhvilluar rritjen dhe zhvillimin ekonomik lokal dhe duke filluar me tranzicionin energjetik të vendit si një proces i shumëpritur. Këtu u përmend projekti për ndërtimin e Çebrenit, për të cilin u zgjodh kontraktori dhe u njoftua për nënshkrimin e kontratës në fillim të vitit 2023, si dhe sigurimi i investitorit strategjik për zhvillimin e Qendrës së Skijimit Kodra e Diellit.
Nuredini ishte i zhurmshëm dhe kategorik kur, në kulmin e krizës energjetike, si dhe ndotjes së madhe të ajrit, nga instalime të ndryshme atyre iu kërkua të përdornin naftë për prodhimin e energjisë termike, duke paralajmëruar se përdorimi i karburantit ishte i palejueshëm dhe një kërcënim i vetëdijshëm për mjedisin jetësor dhe shëndetin e qytetarëve.Ai qëndron me vendosmëri në qëndrimin se shteti ka nevojë për investime të gjelbra dhe një orientim drejt përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.