8 nxënësit nga Maqedonia e Veriut të cilët kanë qenë në zonat ku ka ndodhur tërmeti i fuqishëm në Turqi janë nga Gostivari, Tetova dhe komuna e Mavrovë Rostushës. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se të gjithë janë mirë dhe jashtë rrezikut, ndërsa shtoi se në ora 2 pas mesnate diplomati ynë në Turqi i ka dërguar fotografi bashkë me nxënësit, duke e informuar kështu se të gjithë janë shëndosh e mirë.
“Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i lënduari që ka marrë përkujdesje shëndetësore është në gjendje të mirë pa nevojë për ndërhyrje kirurgjike. Të gjithë bashkë janë nisur, tashmë janë rrugës për në Ankara, fotografia tregon se janë në disponim të mirë edhe pse kuptohet se trauma që e kanë marrë do t’i ndjek, por i presim që të arrijnë në Shkup, pastaj do të kujdesemi për ta”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Për t’i dalë në ndihmë Turqisë, dje Qeveria ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme ku është sjell vendim për dërgesë të ndihmave të ndryshme. Osmani tha se tashmë ekipet duhet të jenë rrugës.
“Duhej sot herët në mëngjes nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ekipet e para të nisen. Ministria e Mbrojtjes sot duhet t’i dërgoj mjetet për ndihmë, ndërsa ministria e Financave të bëj pagesat e para për mjetet financiare”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria kanë bërë të ditur se ekipet janë rrugës, ndërsa me vetë kanë edhe qen të trajnuar për gjurmim.
“Ushtria ka përgatitur dhe tashmë ka nisur ekip të trajnuar për kërkim-shpëtimi të përbërë nga pjesëtarë të Batalionit të Forcave Speciale dhe dy udhëheqës të qeneve të trajnuar për gjurmim nga Komanda e stërvitjes dhe doktrinës, të cilët do të japin maksimumin e tyre për të shpëtuar jetë të njerëzve nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti katastrofik në aleatin tonë Turqi”, thonë nga Ushtria e Maqedonisë së Veriut.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë informuar se një grup prej 39 shpëtimtarëve nga ekipi për reagim të shpejtë është nisur për Turqi, ndërsa janë të pajisur me mjete kërkimi dhe 10 mjete për transportin e pajisjeve dhe njerëzve. Dje për Turqi janë nisur edhe zjarrfikës nga Tetovës dhe Çairi.