Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka njoftuar se Këshilli i komunës së Tetovës ka miratuar ndihmë prej 1 milion denarëve për Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit tragjik, përcjell TV21.
“Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot, këshilli i komunës së Tetovës ndau mjete në vlerë prej 1 milion denarë në këto ditë të vështira për popullin turk dhe sirian. Gjithashtu, u votua edhe propozim vendimin për formimin e Komisionit për përcjelljen e procedurës për grumbullimin dhe dorëzimin e ndihmës për vendet e përfshira nga tërmeti. Do formohen pika grumbullimi, ku qytetarët sipas vullnetit dhe mundësive do mund të ndihmojnë qytetarët turk dhe sirian me veshmbathje dhe gjësende të ndryshme. Po ashtu, së shpejti do hapet edhe një xhirollogari e veçantë, ku qytetarët të cilët kanë mundësi mund të ndihmojnë me mjete financiare”, shkruan Kasami në Facebook.