Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se Bullgaria mund të bëjë hapa përpara në rrugën e saj drejt Shengenit, por vitin e ardhshëm. Këtë ai e deklaroi në Tiranë në samitin BE-Ballkani Perëndimor. “Në këtë fazë për Bullgarinë nuk është “Jo”, por “Jo akoma!”. Kam biseduar me presidentin Rumen Radev. Jam optimist se vitin e ardhshëm mund të bëjmë hapa përpara”, tha Rutte.
Edhe kancelari austriak Karl Nehammer deklaroi se Austria kundërshton pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen. “Duhet më shumë kohë. Në Austri kemi 75 mijë emigrantë ilegalë të paregjistruar. Kjo do të thotë se ata kaluan kufirin e jashtëm të BE-së dhe mbërritën në një vend të brendshëm siç është Austria. Së pari duhet t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve të sigurisë”, u arsyetua Nehammer.