Kanë ardhur ta vizitojnë vëllain e vogël në spital.
A je shëru a jo?
A të ka marrë malli për vëllain?
-Po.
Ubejdi është një nga 70 pacientët e vegjël që po trajtohet në spitalin e fëmijëve “Kozle”. Virusi sincicial i frymëmarrjes ka mbushur kapacitetet e këtij spitali, e disa nga pacientët janë edhe në mbështetje të oksigjenit. Mjekja Ivana Arnaudova Danevska tregon simptomat më të shpeshta të këtij infeksioni. Thotë se virusi mund të kalojë edhe ne organet e poshtme respiratore dhe të shkaktojë bronkiolit akut ose bronkopneumoni.
“Për momentin kapaciteti i Institutit për sëmundje të mushkërive te fëmijët është plotësisht i mbushur dhe momentalisht janë të shtruar 70 fëmijë. Simptomat më të shpeshta me të cilat fillojnë infeksionet aktuale janë simptomat e larta respiratore, duke filluar nga sekrecioni i hundës, obstruksioni i hundës, kokëdhembje, por më së shpeshti paraqitet edhe temperatura e rritur, me çka lidhet shpesh edhe kolla”, tha Ivana Arnaudova Danevska – ndihmës mjeke.
Ka një muaj që është përhapur virusi, ndërkaq numri i pacientëve që vijnë për kontrolle sillet rreth 200 në ditë. Përveç foshnjave nga ky infeksion preken edhe fëmijët e moshave shkollore tregon mjekja Arnaudova.
“Në institutin tonë numri i kontrolleve për një ditë është nga 150 deri në 200 kontrolle. Numri i pacientëve është shumë i lartë, posaçërisht në këtë periudhë preken më shumë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, por nuk përjashtohen edhe fëmijët më të mëdhenj”, deklaroi Ivana Arnaudova Danevska – ndihmës mjeke.
Mjekët thonë se përhapja e infeksionit është e zakonshme në këtë periudhe kohore, vjen nga qëndrimi në ambiente kolektive, si çerdhet dhe shkollat dhe kontaktet në mes të fëmijëve. Apelojnë që të lahen më shpesh duart dhe fytyra, të ajrosen hapësirat ku qëndrojnë fëmijët dhe nëse lejojnë temperaturat, shëtitje më të shpeshta në natyrë.