Gjykimi ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të qeverisë Dragi Rashkovski, i cili së bashku me gjashtë persona të tjerë akuzohen për blerje të paligjshme të softuerit, është shtyrë për më 29 nëntor, për shkak të sëmundjes së njërit prej të akuzuarve.
Gjykata njofton se para fillimit të seancës së sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Daniel Stançev ka dorëzuar një vërtetim mjekësor nga 7 nëntori, referim në Klinikën për Sëmundje Infektive, me shënimin se pacientit i është dhënë terapi me infuzion dhe tableta dhe për të cilën është hapur pushim mjekësor.
Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Penale Shkup duhej të dëgjohen disa dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, ndër të cilët edhe përfaqësuesi i Avokatit të shtetit.
Procesi gjyqësor është në procedurë provash dhe e udhëheq gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska, ndërsa përfaqësuese e akuzës është Ivana Trajçevska.
Mbrojtja e të pandehurit të parë ka paraqitur një shtesë në listën e propozuar të provave, për të cilën Gjykata ka kërkuar që para seancës së ardhshme të paraqesin listën e rishikuar dhe të përbashkët të provave, duke marrë parasysh se deri më tani kanë paraqitur disa shtesa.
Sipas aktakuzës, Rashkovski akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Pastrim i parave dhe gjërave të tjera nga vepra penale”. Personat I.D., I.H., D.S., I.I., I.I. dhe M.S. akuzohen për “Shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga KP.