Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë të dielën se është e rëndësishme që Serbia të sillet “me seriozitet dhe me përgjegjësi” pas tensioneve për targat.
“Po flasim për ndryshime të mëdha tektonike politike. Pas 10 vjetësh serbët kanë marrë vendim që të largohen nga institucionet e Prishtinës”, ka thënë Vuçiç për Televizionin Pink.
Aleksandër Vuçiç ka thënë po ashtu se supozimet që serbët po veprojnë me urdhër të Beogradit, “janë të pakuptimta”.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Vuçiç ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë aplikuar “opsionin më të keq të mundshëm” kur është fjala për targat.
“Fillimisht na qorton dhe më pas na poshtëron. Më pas thotë se do t’ju ndëshkojmë financiarisht. Më pas që do të konfiskojë targat e makinave dhe makinat”.
Presidenti i Serbisë ka thënë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët.
Sipas tij, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti ka thënë se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”. Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.
Më 6 nëntor, Lista Serbe ka organizuar protestë në Mitrovicë të Veriut, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat./REL/