Është liruar nga akuzat për denoncim për bombë në autobusët e NQP-Shkup personi J.I. 25-vjeçar nga Shkupi. Lajmin për TV21 e konfirmoi edhe avokati i 25-vjeçarit, Mitko Solakov, i cili tregon se është vërtetuar se klientit të tij i janë keqpërdorur të dhënat personale.
“Procedura është ndërprerë. Janë keqpërdorur inicialet e të dyshuarit. I dyshuari nuk është ndeshur asnjëherë me ligjin, as për kundërvajtje Është viktimë e njerëzve të poshtër të cilët e kanë keqpërdorur identitetin e tij. Për sjelljen e tillë, ndaj kryersit të veprës, pasi që të zbulohet, do të ketë pasoja nga aspekti juridik”, tha Solakov për TV21.
Ndryshe, personi në fjalë akuzohej për terrorizëm, respektivisht për shkelje të nenit 394-b, paragrafi 1 nga Kodi Penal.
Nga MPB, me 19 tetor njoftuan përmes e-mail të një personi është njoftuar udhëheqja e NQP-së se është vendosur bombë në autobusët e NQP-së, e gjithë kjo ndodhte në kohën kur punonjësit e NQP-Shkup po protestonin pasi kishin vonesa në pagesat e rrogave.