Në skenën e Teatrit Kombëtar Maqedonas më 15 tetor do të shfaqet premiera e komedisë “Gënjeshtra” e bazuar në tekstin e shkrimtarit, dramaturgut, regjisorit dhe skenaristit bashkëkohor dhe shumë aktual francez, Florian Zeller, me regji të Besfort Idrizit.
Në komedinë, e cila vihet për herë të parë në skenë në vendin tonë, luajnë aktorët: Jordan Simonov në rolin e Pavles, Gabriela Petrushevska në rolin e Rodnës, Oliver Mitkovski në rolin e Mihailit dhe Dragana Levenska në rolin e Jovanës.
Sipas regjisorit, “Gënjeshtra” është një tekst që flet se sa të sinqertë mund të jemi, sidomos në marrëdhëniet intime, pra kur(?), sa(?) dhe a(?) lejohet të gënjejmë. Edhe pse në kontaktin e parë me tekstin të krijohet përshtypja se tema kryesore e tij është marrëdhënia martesore apo tradhtia, megjithatë, siç lë të kuptohet edhe vetë titulli, në fakt ajo që trajton teksti, por edhe shfaqja jonë, është gënjeshtra si fenomen.
Jetojmë në një “kohë të rreme”, pra në një kohë kur gënjeshtra është një praktikë e pranuar përgjithësisht, qofshin ato gënjeshtra të bardha, përfaqësim të rremë në rrjetet sociale, lajme të rreme, premtime të rreme, oferta, projekte, ndërtime, politika… për çdo ditë jemi të ekspozuar ndaj gënjeshtrave të përmasave të ndryshme.
Prej këtu vjen edhe ideja për ta punuar këtë tekst, ku përmes një qasjeje komike do të fokusohemi në fenomene të tilla sociale të cilat fatkeqësisht janë gjithnjë e më të zakonshme në atë masë sa që gënjeshtra është zhvilluar në nivelin e një norme të pranueshme shoqërore.
Skenografia e shfaqjes është e Kërste Xhidrov-Xhibi, kostumografi Roza Trajçeska-Ristovska, ndërsa muzikën autoriale në këtë shfaqje e nënshkruan Igor Vasilev-Novogradska.
Shfaqjet në vijim janë caktuar për datat 21 dhe 29 tetor, me fillim nga ora 20:00, ndërsa biletat mund t’i gjeni përmes ueb-faqes www.mnt.mk si dhe në biletarinë e MNT-së, e cila është e hapur çdo ditë jave dhe të shtunave, nga ora 16:00 deri 20:00.