Kryetarët e bashkive nga e gjithë bota mblidhen në Pragë
Kryebashkiaku Erion Veliaj pritet të takohet ditën e hënë me homologun tij të Kievit, Vitali Klitçko. Veliaj thotë se Ukraina dhe procesi i rindërtimi i pasluftës do të mbledhë në Pragë kryetarë bashkish nga e gjithë bota.
“Tirana është bashkia simotër e Bashkisë së Kharkivit. Kharkivi, siç e dini, është qyteti që po bombardohet më shumë për momentin. Kemi filluar që tani të mendojmë për pjesën e rindërtimit atje. Bashkia e Tiranës ka kaluar një buxhet për të ndërtuar kopshte, shkolla dhe çerdhe në Kharkiv; pra, në zonën më të goditur nga sulmet dhe agresioni rus. Në Pragë do të kemi një konferencë për të gjithë kryetarët e bashkive, që, ashtu siç Tirana vendosi të japë disa fonde, të kemi bashki të tjera që marrin përsipër rindërtimin në qytete të tjera ukrainase”, tha Veliaj.
Deklaratat u bënë në mbyllje të edicionit të 17 të festivalit ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut që këtë vit iu kushtua Ukrainës. Ambasadori I këtij vendi tha se edhe pse janë mbiu 230 ditë luftime, ukrainasit besojnë tek fitorja.
“Si ambasador, unë kam mjaft informacione mbi atë që po ndodh në Ukrainë, por perceptimin real unë e marr nga njerëzit e thjeshtë, nga ata që i kanë mbijetuar luftës dhe ju siguroj që ndryshon tërësisht perceptimin tonë për të mirën e të keqen. Marr të dhëna për Bucha-n, Mariupol-in, dhe e di tmerrin që po përjetojnë civilët në ato zona. Sot jemi në ditën e 230 që nga fillimi i luftës dhe njerëzit në Ukrainë besojnë te fitorja”, tha Shkurov.
Festivali Marubi për herë të parë u shoqërua me një ekspozitë fotografike, me foto nga Lufta në Ukrainë, realizuar në bashkëpunim me ambasadën e këtij vendi në Tiranë.

