Ditët e fundit në autobusët e JSP-së kanë ndodhur vazhdimisht incidente.
Për këtë, kryetari Boban Stefkovski prej sot në mëngjes po ndërmerr një sërë masash për tejkalimin e situatës. Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, kryetari Stefkovski ka shkruar:
Ditët e fundit në autobusët e JSP-së që kalojnë nga Çento, përmes Hasanbegut në Stajkovc kanë ndodhur vazhdimisht incidente.
Nga incidentet janë lënduar nxënës dhe fëmijë që jetojnë në atë pjesë të komunës së Gazi Babës.
Si kryetar i komunës dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit për Parandalim të Komunës Gazi Babë, kam caktuar seancën e Këshillit për datën 19.09.2022 (e hënë) në të cilën janë ftuar përfaqësues nga Bashkësia Lokale Hasanbeg dhe komunitetit lokal Stajkovci si dhe përfaqësues nga institucionet kompetente të cilët sipas detyrës zyrtare janë anëtarë të Këshillit. Në atë seancë do të propozoj masa dhe konkluzione për tejkalimin e situatës.
Njëkohësisht, sot mbajta një takim me përfaqësues të bashkësisë lokale të Stajkovcit, ku i informova për veprimet e ndërmarra nga ana ime, me qëllim të parandalimit të ngjarjeve të tilla në periudhën e ardhshme.
Sot në mëngjes kam dërguar një shkresë në Stacionin Policor të juridiksionit të përgjithshëm, Gazi Babë, me të cilën kam kërkuar prani të shtuar policore në periudhën kritike të policëve në autobusët e JSP Shkup.
U bëj thirrje publikisht të rinjve dhe prindërve të tyre që të bisedojnë dhe të parandalojnë që ngjarje të tilla të përsëriten në të ardhmen. Njëkohësisht i bëj apel Ministrisë së Punëve të Brendshme që të marrë masat e duhura për zbardhjen e ngjarjeve të kaluara, por më e rëndësishmja është parandalimi i ngjarjeve të tilla dhe të ngjashme të pakëndshme në të ardhmen.
Si kryetar i Komunës së Gazi Babës do të bëj gjithçka që është në kompetencat e mia për të parandaluar ngjarje të tilla të pakëndshme, por edhe për të mbrojtur banorët e komunës së Gazi Babës që përdorin transportin publik” – ka shkruar Stefkovski