Moti do të jetë pjesërisht i vranët me erë të dobët deri mesatare nga jugu, përcjell TV21. Pasdite pritet mot i paqëndrueshëm me reshje të dendura shiu dhe bubullima. Lokalisht do të ketë stuhi me reshje më të dendura shiu, shkarkime të forta elektrike, erëra të forta dhe kushte breshëri.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 13 deri në 22, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 28 deri në 36 gradë. Indeksi UV do të jetë 6.
Në Shkup do të mbajë mot i ndryshueshëm i vranët me reshje të kohëpaskohshme të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë. Në disa pjesë të luginës do të ketë stuhi afatshkurtër me reshje të dendura shiu, erë të fortë, shkarkime elektrike dhe breshër. Temperatura minimale do të zbresë deri në 18 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 33 gradë.
Deri në mesin e javës moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira, në disa vende me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Lokalisht do të ketë kohë pas kohe stuhi me reshje të dendura shiu (mbi 30 l/m2), shkarkime të forta elektrike, erëra të forta (mbi 60 km/h) dhe breshër. Temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme, njoftojnë nga DPHM.