Gazetar: Adrian Kerimi
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski vlerëson se sabotimi i debatit nga shumica parlamentare në Kuvend mbi tragjedinë në spitalin modular në Tetovë dhe tragjedinë me autobusin në Bullgari nënkupton se pushteti pranon se është fajtor në të dyja situatat.
Mos praninë e deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së në mbledhjen e Komisionit anketues, Mickoski e cilësoi si veprim qyqar.
“Dje opinioni kishte mundësinë ta sheh fajtorin e dy tragjedive. Derisa kanë ndërgjegje të pastër dhe dinjitet do të vinin, t’i thoshin argumentet, do të tregonin çfarë kanë ndërmarrë, do t’i ftonin kompetentët, do të kundërshtoheshim me argumente. Ata dezertojnë ashtu siç dinë të dezertojnë në shumë situata tjera. Dje ikën si qyqarë duke i lënë vetëm ata të cilët po luftojnë këtë Qeveri jo popullore LSDM-BDI. Ky është një argument më shumë pse ata duhet të ikin”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Aleanca për Shqiptarët ka përgënjeshtruar koordinatorin e grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi i cili ditë më parë deklaroi se deputetët e BDI-së nuk morën pjesë në komision anketues për shkak të mungesës së materialit për pikat e rendit të ditës. Sipas opozitës shqiptare, materialet ishin dorëzuar në kohë dhe në dy gjuhë.
Ndërkohë partia e Ziadin Selës mbrëmë ka publikuar, siç e quajnë ata “panon e turpit” me fotografitë e deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së të cilët nuk morën pjesë në mbledhjen e komisionit, duke pamundësuar kuorum pune dhe shqyrtim të pikave të rendit të ditës.
Ne mbledhje nuk morën pjesë as përfaqësues të MPB-së, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Avokati i Popullit. LSDM-ja vazhdon të heshtë mbi arsyet për bojkotimin e punës së komisionit anketues.