Gazetare: Melihate Rustemi
Punonjësit në çerdhe që ishin në grevë do të marrin pagat e plota. Këtë marrëveshje e arritën Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe SASHK-u duke nënshkruar ndryshimet dhe plotësimet e Marrëveshjes Kolektive përmes të cilës mundësohet pagesa e kontributeve në rast greve, shkruan Alsat.
“Me takimin e sotëm treguam se mënyra e vetme përmes së cilës mund të vijmë te përparimi i të drejtave të punëtorëve është pikërisht përmes dialogut social. Në takimin e sotëm Ministria e punës dhe Politikës Sociale dhe përfaqësuesit e SASHK-ut i nënshkruan ndryshimet dhe plotësimet e Marrëveshjes Kolektive, përmes të cilave rregullohet pagesa e pagave dhe kontributeve gjatë kohës së grevës. Ndryshimet e Marrëveshjes kolektive janë dërguar në Gazetën Zyrtare, presim që të publikohen. Sapo të publikohen ndryshimet vijon procedura e pagesës së pagave në bazë të këtyre ndryshimeve”, tha Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Kreu i SASHK-ut, Jakim Nedellkov u shpreh i kënaqur nga marrëveshja e arritur pasi punonjësit në çerdhe mbetën të padëmtuar.
“Sot e rrumbullakuam procesin e negociatave lidhur me kërkesat e SASHK-ut ndaj Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, ajo që ishte kontestuese për pagat dhe mëditjet e të punësuarve në çerdhe të cilët ishin në grevë. Sot me ndryshimet në Marrëveshjen Kolektive e rregulluam edhe këtë të drejtë të punësuarve”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe SASHK-u gjithashtu bën të ditur se pas festës së 24 majit do të nis procesi i përpilimit të Marrëveshjes së re kolektive për çerdhet. Për këtë të fundit tashmë janë formuar edhe grupet e punës nga të dyja palët. Të gjitha çerdhet në vend ishin në grevë dyjavore, njëjtë sikurse të punësuarit në arsim. Marrëveshja përfundimtare midis Sindikatës dhe Qeverisë parashikon rritjen e pagave prej 15 për qind. /Alsat.mk