Aktivistja Evi Kokalari ka kërkuar që Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit të hetojë ish-presidentin e Shqipërisë Bamir Topi, për syzet që ky i fundit ka. Në një postim në rrjetet sociale, Kokalari, e cila prej muajsh është bashkuar me Sali Berishën dhe nismën e tij për të rithemeluar Partinë Demokratike, pyet se ku i ka gjetur Topi 60,000 euro për syzet e diellit.
Kokalari sugjeron që Topi duhet të thotë ku e ka gjetur këtë shumë, ose Prokuroria e Posaçme duhet të nisë një investigim.
Ndryshe, në vitin 2015 ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, i arratisuri Nikolla Gruevski u fotografua në pushim në Izrael me syze të njëjta të markës Maybach. Në atë kohë Gruevski akuzohej në publik se ka blerë syze në vlerë të 60.000 eurove.