Dy ditë më parë, ukrainasit i kanë bërë thirrje miliarderit amerikan, Elon Musk, që t’ua mundësojë shfrytëzimin e internetit përmes “Starlink”.
S’ka vonuar shumë, dhe sot ministri ukrainas i Teknologjisë, Mykahilo Fedorov, ka njoftuar se paisjet që do të mundësojnë lidhjen në internetin e “Starlink” kanë arritur në tokën ukrainase.
“Starlink është këtu, faleminderit Elon Musk”, ka shkruar Fedorov në Twitter.Ndërkohë Musk i është përgjigjur duke I thënë “Je i mirëseardhur”.
Musk dje kishte njoftuar se shërbimi i Starlink është aktivizuar edhe në Ukrainë.“Starlink” është një satelit i vogël që operon në zonën e poshtme të orbitës së tokës, i prodhuar nga Space X, dhe mundëson shpërndarjen e internetit në shumë pjesë të botës.
Pajisje të tilla pritet t’i ndihmojnë jashtëzakonisht shumë ukrainasit, në rast të prishjes së internetit nga shpërndarës të tjerë në Ukrainë si rezultat i luftës dhe bombardimeve të Rusisë.