Perëndimi i jep një goditje të rëndë financave ruse si ndëshkim për goditjen ushtarake ndaj Ukrainës. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Europian dhe Kanadaja bllokuan përdorimin nga bankat më të mëdha të Rusisë, të sistemit Swift. Vendet e unionit vendosën po ashtu të bllokojnë hapësirën ajrore për fluturimet nga Rusia, duke bërë që mijëra fluturime të anulohen apo të devijohen drejt aeroporteve të vendeve fqinje.
Goditja më e rëndë për Rusinë është përjashtimi i bankave kryesore të Rusisë nga sistemi më i madh botëror i transfertave bankare. Kjo masë pritet të rrënojë ekonominë ruse, pasi bën thuajse të pamundur shitjen e naftës dhe gazit rus, burimi kryesor i të ardhurave për Moskën.
“Bashkimi Europian dhe partnerët e tij po punojnë për të bërë ç’është e mundur që sakatojnë aftësinë e Putinit për të financuar makinerinë e tij të luftës”.
Pasojat ishin të menjëhershme në Rusi. Vështirësimi i procedurave bankare solli mungesën e parave nëpër banka, e për pasojë edhe këto radhë të gjata të qytetarëve nëpër bankomatë, në pritje për të tërhequr para. Rusët po ashtu nuk mund të kryejnë blerje apo shitje online. Sistemi Suift përfshin 11 mijë banka dhe institucione financiare të rëndësishme në gjithë botën.
Një tjetër masë është edhe bllokimi i aseteve të bankës qëndrore të Rusisë, çka bën që Moska të mos përdorë dot më rezervat financiare që ka jashtë vendit. Reuters shpërllogarit të paktën 200 miliardë dollarë asete bankare, që Rusia i ka depozituar në banka ndërkombëtare. Sanksionet perëndimore pritet të prekin së shpejti edhe asetet e miliarderëve rusë në perëndim.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mirëpriti këto masa, të cilat ai e kishte kërkuar prej javësh.