Krahas ngritjes së çmimeve të rrymës por edhe të produkteve ushqimore, qytetarët janë goditur edhe nga rritja e çmimit të ilaçeve. Çmimi i lartë, siç thonë të anketuarit për Klan Maqedoni, iu është bërë ngarkesë shtesë për buxhetin modest familjar.
“E kanë tepruar, unë jam me ndihmë sociale, shtrenjtë janë barnat. Jam në dializë”.
“Të larta janë çmimet, kështu që, të kënaqur apo të pakënaqur, domosdo duhet t`i blejmë”.
“Unë jam pensioniste, me pension të ulët. Me dhjetë mijë nuk mundem asgjë të mbërrijë, në thelb, edhe ju nëse do ishit në vendin tim, sigurisht do të pyesni pse kështu. Domethënë me pension dhjetë mijë e pesëqindë ku më parë. Ja tani jam duke shkuar për këmbën kam trombozë, duhet të paguaj”.
Në lidhje me rinovimin e listës së barnave, nga Fondi Shëndetësor shprehen se rinovimi i tyre i takon një Komisioni të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili do duhej të fillojë rinovimin e listës së barnave prej datës 27 Dhjetor 2019.
“Lidhur me çështjen e rinovimit të Listës së Barnave, ju njoftojmë se me nenin 9-a të SHI-së që është publikuar në Fletoren Zyrtare të RMV-së nr. 275, datë 27.12.2019, parashikohet një komision kompetent dhe përgjegjës për zbatimin e atij procesi për ndryshimet dhe plotësim të barnave e ngritur nga Ministria e Shëndetësisë”.
Nga Ministria e Shëndetësisë, për ndryshimin e listë së barnave, shprehen se kanë formuar një grup pune që do të fokusohet në këtë drejtim.
“Për sa i përket zgjerimit të listës pozitive të barnave, informojmë se kjo çështje është një nga prioritetet e ministrit Sali, si dhe ulja e çmimeve të barnave dhe për këtë tashmë është formuar një grup pune që do të fokusohet në këtë segment”.
Nga Fondi Shëndetësor shprehen se ndryshimi i fundit i mbulimit të një pjese të çmimit të barnave është bërë me datë 5Sshkurt 2015, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se përveç barnave pritet edhe fillimi i përdorimit i 30 terapive biologjike, të cilat më herët nuk kanë qenë në listën pozitive të barnave.