Javëve të fundit është shënuar ulje e numrit të të infektuarve. Autoritetet shëndetësore shpresojnë se po afrohet fundi i valës së katërt të virusit korona. Që të zbuten masat, do të duhet të arrijmë imunitet kolektiv, shprehet Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali.
“Nëse marrim rezultate pozitive, gjegjësisht mbi 70% e imunizimit të përgjithshëm në vend, atëherë në këtë rast mund të themi se do të fillojmë me lehtësimin e masave, përkatësisht me lehtësime për funksionimin normal të qytetarëve tanë”, deklaroi Sali.
Por, sa larg jemi nga imuniteti kolektiv, do të tregojnë rezultatet e skriningut që po zbatohet. Janë bërë 3.000 teste në Maqedoni, 1.000 prej të cilave në Shkup. Në Manastir qytetarët prisnin radhë për t’u testuar dhe thonë se testi falas është një mundësi e mirë e cila duhet shfrytëzuar. Sa i përket skriningut nëpër shkollat, Ministria e Shëndetësisë shprehet e kënaqur nga interesi i treguar.
Atë që po e vërejmë për momentin është se shumica e vendeve mbajnë mësim të rregullt, nuk ka mësim online. Por, që të jemi relevantë dhe të mos vijë deri te ndonjë dëm për fëmijët tanë, ky skrining do ta diktojë drejtimin e duhur pas të cilit duhet lëvizur”, vlerëson Vlladimir Rendevski, zëvendësministër i Shëndetësisë.
“Jemi të befasuar pozitivisht. Gjatë ditës së djeshme morëm 4.000 pëlqime nga prindërit për të bërë skrining analiza dhe t’i testojmë fëmijët e moshës shkollore. Neve na duheshin vetëm rreth 1.000”, tha më tej Sali.
Analizat e fundit të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse tregojnë se ka rritje të infektimeve me COVID-19 te fëmijët nga 6 deri në 14 vjeç. Ekspertët thonë se kjo vjen si pasojë e fillimit të vitit shkollor dhe kthimit të nxënësve në bankat shkollove.
“Tani për tani rezultatet janë shumë pozitive. Nga 200 analizat që janë bërë dje, morëm vetëm një rezultat pozitiv. Në qoftë se vazhdojmë ashtu, analizat do të zgjasin edhe 2-3 ditë në Shkup, sepse këtu kishte numër më të madh të të prekurve. Në qoftë se numri është i tillë edhe në pjesët e tjera të Shkupit, atëherë nuk do të ketë nevojë të vazhdojnë analizat”, shton Sali.
Shkalla e vaksinimit dhe imunizimit të tërësishëm të popullsisë në Maqedonisë është më e ulët se në vendet e Evropës perëndimore.