Natën në mes 25 dhe 26 shkurtit të vitit 1999 kishin arritur të dëbuarit e parë nga Kosova në fshatin Jazhincë të Tetovës. Të lodhur, të rraskapitur, pa ushqim e veshmbathje, fëmijë dhe pleq ishin të parët të cilët kishin shkelur në territorin e Maqedonisë së atëhershme në fshatin kufitar Jazhincë. Banorët e këtij fshati në atë kohë, ishin organizuar për të pritur vëllezërit e tyre kosovarë. Disa prej tyre, 23 vite më pas rikujtojnë ato momente të tmerrshme. Sabedin Bajrami, në atë kohë ishte edhe anëtarë i shtabit të krizës në fshatin Jazhincë. Thotë, se të dëbuarit e parë ishin në gjendje të rëndë sepse ishin larguar nga shtëpia natën pa marrë asgjë me vete, nën ankth dhe frikë. “Refugjatët e parë kanë ardhur përmes fshatit Gorancë, përmes rrugëve alternative. Pasi që kemi marrë informacione se këta banor janë marrë nga policia dhe do të dërgohen në stacion policor, ne kemi dalë, nuk lejuam që t’i marrin dhe me ndihmën e kryqit të kuq i strehuam, sepse disa prej tyre ishin edhe familjarë tanë. Kemi parë fytyra të trishtuara, kanë dalë natën nga shtëpia, nuk kishin as veshje, asgjë, klithmat e fëmijëve dëgjoheshin gjithandej prandaj edhe jemi organizuar si fshat që t`u dalim në ndihmë” thotë Sabedin Bajrami, banor i Jazhincës.
Pikërisht në atë vit, ky fshat ishte granatuar nga forcat serbe. Fatmirësisht nuk kishte viktima apo të lënduar, por u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Musa Mustafi, poashtu anëtarë i shtabit të krizës në fshatin Jazhincë, tregon atë moment të rëndë të muajit qershor. ”Forcat serbe kanë qenë afër këtu, dhe ata kur kanë parë fluksin e refugjatëve që ndodhet në fshatin tonë, vonë pas mesnate kanë gjuajtur në fshatin tonë. Një shtëpi është granatuar dhe për fat të mirë nuk ka patur njerëz brenda. Ka patur 48 granata të gjuajtura nga forcat serbe në fshatin tonë”, thotë Musa Mustafi, banor i Jazhincës.
Përmes duarve të këtyre banorëve kaluan mbi 150 mijë banorë të Kosovës të dëbuar nga trojet e tyre dhe më pas u strehuan nëpër vendbanimet tjera të Maqedonisë. Me shumë mund dhe sakrifica si këta banorë por edhe shoqata humanitare, institucione që udhëhiqeshin nga shqiptarët, ishin të angazhuar 24 orë për t`iu dalë në ndihmë vëllezërve të tyre nga Kosova. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e dhanë provimin në momentet më të rëndësishme historike për mbarë kombin shqiptar. Këta banorë janë krenarë që në atë kohë ndihmuan kosovarët dhe me nostalgji kujtojnë ato momente çdo vit kur vjen 17 shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës. “Ne jemi shumë të lumtur dhe krenarë që në atë kohë ndihmuan me aq mundësi sa kishim. Sërish nëse ndodh ne jemi ata që do të bëjmë të njëjtën gjë, pa u penduar aspak për punën e palodhshme që kemi bërë si fshati ynë poashtu edhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, thotë Sabedin Bajrami.
Muharem Bakiu, tashmë në moshë, tregon se viti 1999 ishte një sfidë për fshatin Jazhincë dhe jo vetëm. ”Viti 1999 ishte një sfidë e madhe për neve sepse u desh që tërë ato refugjat t’i presim, t’i sistemojmë edhe nëpër vendbanime tjera. Ishin të rraskapitur, ishte ftohtë shumë, u siguruam veshmbathje dhe t`ju japim ushqim e kështu me radhë. Me qindra e mijëra vinin brenda natës dhe ishim të organizuar për të pritur ata. U mobilizua tërë fshati duke ndihmuar rreth 150 mijë banorë të Kosovës të cilët kanë kaluar nëpër duart tona”, thotë Bakiu. Në vitin 1999 nga Kosova me dhunë u dëbuan mbi 1 milion qytetarë, kurse vetëm në Maqedoni u strehuan rreth 450 mijë. Pothuajse nuk kishte vendbanim shqiptar në Maqedoni që nuk strehoi qytetarë të Kosovës. Sot, në Kosovë është festë, shënohet 14 vjetori i shpalljes së Pavarësisë, kurse këta banorë të Jazhincës së bashku me të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së veriut, treguan se në momentet historike të kombit të gjithë duhet të jenë në krye të detyrës. (koha.mk)